Zv.kryeministrja, njëherësh ministrja e Infrastukturës dhe Energjisë, Belind Balluku thotë se turizmi në vend ka marrë një hov të ri.
Në fjalën e saj gjatë seancës plenare në Kuvend, Balluku u shpreh se qeveria po bën përpjekje për të ngritur një infrastrukturë moderne, teksa këtë sezon turistik, pritet të vijnë mbi 14 milionë turistë.
Balluku shtoi se disa punime, si hapja e tunelit të Llogarasë apo aeroporti i Vlorës, pritet të përfundojnë këtë vit.
“Në një kohë kur turizmi në Republikën e Shqipërisë ka shënuar një hov të ri, ndërkohë që pas një prove gjenerale të suksesshme të vitit 2023 kur në territorin tonë hyjnë 10 milionë pasagjerë, sot kur jemi të përgatitur sipas të gjitha projeksioneve për të pranuar dhe për të akomoduar në vendin tonë mbi 14 milionë pasagjerë, të gjitha planet të cilat kanë të bëjnë me transportin detar, atë ajror dhe rrugor janë të domosdoshme dhe prioritare. Çdo marrëveshje e cila akomodon një përafrim ligjor me të gjitha kriteret dhe kërkesat e Bashkimit Europian në këtë moment janë shumë të rëndësishme.
Ndaj unë do të theksoja që përpjekjeve të Qeverisë për të ngritur një infrastrukturë moderne, me ndërtimin e Korridoreve rrugore, ashtu siç është ndërtimi i Korridorit VIII dhe ndërtimi i Korridorit Blu, një prej segmenteve të të cilit do të dorëzohet në 30 qershor të këtij viti, segmenti i parë, ai që lidhë Thumanë-Kashar, por duke pasur parasysh dhe një nyje shumë të rëndësishme që është nyja e lidhjes me aeroportit ndërkombëtar, si dhe duke pasur të gjitha planet e tjera për këtë verë për të hapur tunelin e Llogarasë gjithashtu në 30 qershor apo në ditët e para të korrikut, për të vazhduar më pas me dorëzimin e Unazës së Madhe të Tiranës, në fund të dhjetorit të këtij viti apo edhe dorëzimin e punimeve në aeroportin ndërkombëtar të Vlorës, gjithashtu në dhjetor të 2024, sigurisht askush nuk mund të vendosë në dyshim të gjithë përpjekjen, angazhimin dhe fokusin e Qeverisë Shqiptare për të çuar infrastrukturën kritike, infrastrukturën e transportit detar, tokësor dhe ajror në një nivel tjetër që do ti përgjigjej fare mirë kërkesës së rritur të vizitorëve të huaj, por edhe të investitorëve të huaj në Republikën e Shqipërisë”, theksoi ajo./abcnews.al