Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro ka vizituar bregdetin e Shëngjinit në vijim të inspektimeve në bashkitë bregdetare në nisje të këtij sezoni turistik veror. E shoqëruar nga kryebashkiaku i Lezhës Pjerin Ndreu, ministrja Kumbaro u shpreh se edhe në këtë bashki është respektuar proporcionaliteti në parcelat publike të plazheve dhe në të njëjtën kohë Lezha ka krijuar një model për menaxhimin e mbetjeve dhe mbajtjen pastër të plazheve, por këtë vit, për shkak të rritjes së flukseve hyrëse turistike me rreth 40%, sfida parashikohet të jetë më e madhe.
“Më vjen mirë që është respektuar proporcionaliteti në parcelat publike të plazheve. Në takimet me disa operatorë hotelierë na thanë që presin 40% më shumë turistë se viti i kaluar. Të njëjtën shifër na e vërtetojnë edhe hyrjet në kufi, edhe nga fluturimet, madje më lart, në Rinas që do të thotë, në mënyrë proporcionale ky +40% na konfirmohet në të gjitha drejtimet, prandaj do ta kemi më të madhe sfidën”, u shpreh ministrja Kumbaro.
Gjatë inspektimeve në bregdet minsitrja Kumbaro e ka vënë theksin tek bashkëpunimi i qytetarëve dhe sidomos i bizneseve me bashkitë për menaxhimin e mbetjeve.
Më herët, në fillim të muajit maj u amenduan ndryshimet ligjore parashikojnë rritjen deri në 30% të kundravajtjeve mjedisore dhe duke i kthyer ato në titull ekzekutiv./abcnews.al