Drejtoresha e Përgjithshme e Turizmit, Herida Duro tha se akademia për turizmin ishte një ndër pikat kryesore të diskutimeve në ditën e dytë të takimit të përfaqësuesve të kësaj fushe nga 40 shtete.
Në një intervistë për “Money Report”, Duro u shpreh se krahas investimeve, investitorët e huaj po mendojnë që të vendosin në vendin tonë edhe shkolla të burimeve njerëzore.
“Akademia ishte një nga pikat e reja të diskutimeve, duke qenë se Shqipëria vit pas vit po jep gjithmonë e më shumë një garanci të mënyrës jo vetëm të zhvillimit të eventeve të kësaj natyre, por mbi të gjitha të qëndrimit të saj në koherencë me zhvillimet në të gjitha fushat. Sinergjia e të gjithë sektorëve dhe e politikbërjes së qeverisë shqiptare tashmë është e vendosur që, kjo është treguar edhe nga tejkalimi i shifrave. Rreth 10 milionë turistë ishte targeti i vitit 2030 po në fakt ne e arritëm në 2023. Viti 2024 pritet që të ketë rreth 140 përqind më shumë turistë në Shqipëri. Kjo tregon për një vendosshmëri, drejt së cilës të gjithë sektorët do të jenë të bashkuar.
Nuk mjafton që të kemi vetëm infrastrukturë apo ndërtime të reja të brendeve më të mira. Ka gjithmonë e më shumë vlerë për të gjithë botën dhe industrinë e turizmit, burimet njerëzore. Mikpritja dhe të gjitha asetet e vendit tonë janë të admirueshme por burimet njerëzore janë aseti më vital, ndaj të cilit ne do të tregojmë një kujdes të veçantë nëpërmjet zhvillimit të kurrikulave të duhura dhe akademive. Ndaj dhe propozimi i vetë organizatës botërore të turizmit ka qenë vendosja e një shkolle të dedikuar për turizmin shqiptar dhe shërbimet që ofrohen. Tashmë të gjithë investitorët që bashkë me potencialin e investimeve që do të zhvillojnë, po mendojnë që të mund të vendosin njëherazi edhe shkollat e rritjes së burimeve njerëzore dhe profesioneve të ndryshme.“, tha ajo.
Më tej, ajo shtoi se është e nevojshme që industria e turizmit të zhvillohet edhe në zonat malore dhe rurale.
“Nuk po vendosemi vetëm në bregdet, është e nevojshme që kjo industri të zhvillohet edhe në zonat malore, në zonat rurale me agroturizëm që është një nga pikat tona më të forta në këtë moment që po flasim.“, tha ajo./abcnews.al