Turizëm me mushkonja!

schedule12:10 - 28 Qershor, 2022

schedule 12:10 - 28 Qershor, 2022

Esmeralda Topi

Në maj të vitit 2014 Instituti i Shëndetit Publik nisi për herë të parë, pas më shumë se dy dekadash operacionin për dezinsektimin e bregdetit shqiptar. Procesi përballej rregullisht me vonesa të vogla burokratike, të cilat kulmuan këtë vit. Një ankesë e depozituar pranë Komisionit të Prokurimit Publik për kriteret kualifikuese të tenderit të dezinsektimit po mban peng procesin, duke e shndërruar sloganin e famshëm të kryeministrit nga #turizëm pa mushkonja në #turizëm me mushkonja.

“Po ribëhet nga qeveria pas 23 vjetësh operacioni për dezinsektimin e bregdetit në prag të verës. #Turizëmpamushkonja”- shkruante në 18 maj të 2014 Kryeministri Edi Rama në rrjetin social Twitter për të përshëndetur rinisjen e procesit të dezinsektimit të zonave bregdetare, pas më shumë se dy dekadash.

Prej vitit 2014 e deri në 2021, procesi i dezinsektimit të zonave bregdetare ka nisur çdo vit në periudhën maj-qershor për të vijuar deri në mbyllje të sezonit turistik, muaji tetor.

“Ka filluar procesi i dezinsektimit nga Shkodra, në Lezhë, Tiranë, Durrës dhe duke zbritur në Kavajë, Vlorë e deri në Sarandë për të parandaluar dhe për të kontrolluar sëmundjet infektive që vijnë nga mushkonjat. Por mbi të gjitha për të siguruar shëndetin publik.” – deklaronte jo më larg se një vit më parë, ministrja e Shëndetësisë Ogerta Manastirliu, duke e vënë theksin tek rëndësia që ka procesi në shëndetin e popullatës.

Ministrja Manastirliu gjatë një inspektimi në qershor të 2021

Por ndonëse jemi në fund të muajit qershor, këtë vit Instituti i Shëndetit Publik ende nuk ka nisur nga puna për një turizëm pa mushkonja.

Nga informacionet që kemi mbledhur rezulton se këtë vit procesi po mbetet ‘peng’ i ankimimit të tenderit që Agjencia e Blerjeve të Përqendruara ka bërë për procesin e dezinsektimit.

Formulari i ankesës drejtuar Komisionit të Prokurimit Publik në 04.05.2022

Dy nga kompanitë pjesmarrëse në tenderin me objekt “Shërbim dezinsektimi në zonat bregdetare dhe urbane” kanë ankimuar procesin pranë Komisionit të Prokurimit Publik lidhur me kriteret kualifikuese dhe specifikimet e tenderit, duke pretenduar se janë diskriminuese dhe cënojnë konkurrencën.

“Disa kritere kualifikimi duhen modifikuar me qëllim hapjen e konkurrencës së lirë dhe të ndershme kurse disa kritere duhen hequr pasi e kufizojnë atë.”- shkruhet në dokumentin e ankimimit të publikuar në faqen e Komisionit të Prokurimit Publik.

Pjesë nga formulari i ankesës drejtuar Komisionit të Prokurimit Publik në 04.05.2022

Ne kontaktuam me Endri Mullain, Drejtues i Agjencisë së Blerjeve të Përqendruara që është autoriteti kontraktues i tenderit 79.2 milionë lekë për dezinsektimin në qarqet; Tiranë, Durrës, Fier, Vlorë dhe Shkodër.

“Kriteret kualifikuese të tenderit përcaktohen nga ISHP së bashku me Agjencinë, ndërkohë që specifikimet teknike janë kompetencë e ekspertëvë të ISHP-së. Procedura do të anulohet dhe gara do të hapet menjëherë sapo Komisioni i Prokurimit Publik të dalë me vendim.”- sqaron Mullai për Faktoje, duke shtuar se vendimi i KPP-së mund të marrë deri në 30 ditë kohë.

“Praktikat kanë treguar se duhen 15-30 ditë kohë, ndërkohë që edhe rihapja e garës do të kërkojë të paktën 30 ditë të tjera, kohë që dikton ligji për subjektet që duan të dorëzojnë ofertat e tyre. Për shkak të vlerës, ky është një tender ndërkombëtar.” – thekson ai.

Kjo do të thotë se të paktën deri në gusht Tirana, Durrësi, Fieri, Vlora dhe Shkodra do të duhet të vijojë ‘luftën’ me mushkonjat dhe insektet e tjera. Tirana është një nga qarqet që përfshin dy nga zonat më problematike sa i përket mushkonjave.

“Të gjitha institucionet po merren seriozisht me këtë punë. Sa i përket qarkut të Tiranës, Golemi dhe Vilbashtova janë zonat më problematike.” – tha për Faktoje Prefekti i Qarkut të Tiranës Afrim Qendro.

Fatos Cerenishti, pronar i Hotel ‘Fafa’ në Golem, thotë se mungesa e dezinsektimit këtë vit po i krijon probleme me pushuesit vendas dhe të huaj.

“Jemi të shqetësuar, jo vetëm unë, por e gjithë hoteleria e bregdetit pasi njerëzit po ankohen masivisht për mushkonjat. Asnjëherë nuk e kanë marrë seriozisht këtë proces, në një kohë që duhet të jetë prioritet siç janë dhe pikat e tjera ndarja e plazheve, infrastruktura, etj. Edhe dezinsektimi duhet të futet në listën e prioriteteve. Ne jemi munduar që t’i bëjmë vetë në mënyra të ndryshme, por nuk jemi profesionistë të fushës, i kemi bërë në mënyrë amatore.” – thekson ai për Faktoje.

Tritan Kalo, një nga mjekët më të mirë infeksionistë, thotë për Faktoje se krahas dezinsektimit, vendi ka nevojë edhe për dy procese të tjera që lidhen ngushtë me sëmundjet infektive.

“Dezinfektimi, Dezinsektimi dhe Deratizimi (DDD), janë të domosdoshme të kryhen kudo, sidomos në zonat bregdetare turistike. Fluturakët sidomos mushkonjat tashmë shqetësojnë kudo dhe në çdo moment të 24 orëve në këto zona, duke irrituar lëkurën dhe duke rrezikuar shëndetin. Mizat rrezikojnë ndotjen ushqimore. Minjtë nëpërmjet kafshimit direkt ose indirekt me jashtëqitjet e tyre mund të kontaminojnë ujrat, ushqimet dhe infektojnë individët. Brejtësit e arave ose të qyteteve janë përhapës të rreth 21 sëmundjeve infektive.” – argumenton doktor Kalo.

Në mënyrë që dezinsektimi të jetë sa më i efektshëm, ekspertët e mjedisit sugjerojnë që procesi të bëhet në momentet larvare të insekteve që përkon me periudhën e fillim-pranverës. Por gjasat këtë viti janë që ne s’do të arrijmë dot as verën. Pas tetë vitesh Kryeministrit Rama i mbetet të ndryshojë hashtagun nga #turizëmpamushkonja në #turizëmitmemushkonja#.

Faktoje.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!