Turi i Francës, gara e madhe me miliona euro fitime

schedule14:09 - 18 Korrik, 2019

schedule 14:09 - 18 Korrik, 2019

Turi i Francës është një sukses i madh sportiv, por edhe promovim i turizmit. Gara më e vjetër e çiklizmit në botë tërheq çdo vit miliona njerëz.

Ky qytet përfitoi shumë në fare pak ditë.

Brukseli, kryeqyteti i Belgjikës, besohet se ka futur në xhep rreth 60 milionë euro vetëm sepse organizoi nisjen e Turit të Francës, pra etapën e parë të tij.

Rreth 1 milionë turistë vizituan qytetin historik, me hotelet, transportin dhe shitoret e gjithçkaje, që patën të ardhura të mëdha.

“Le Grande Bukle”, gara e madhe franceze, është më e lavdishmja e çiklizmit në të gjithë botën, një sukses sportiv, por edhe financiar.

Rreth 15 milionë spektatorë e ndjekin Turin në rrugët e Francës çdo vit, ndërsa mbi 20 milionë të tjerë e shohin nga televizori.

Kjo do të thotë turizëm i pastër, dhe reklamë e fuqishme e vendeve më të bukura, historike, gjeografike apo artistike të shtetit të famshëm të Europës Perëndimore.

Kështjella, sheshe e rrugë të veçanta, masive pyjorë, fshatra turistikë, liqene e lumenj, filmohen me helikopterë apo dronë dhe promovohen në gjithë rruzullin.

Vetë Parisi ka 50 milionë turistë në vit, për shumë arsye, ndërsa Francës i shtohen miliona sa herë vjen korriku, thjesht nga çiklizmi.

Në Angli, numri i turistëve u rrit me 12 për qind, dhe shpenzimet totale të tyre arritën në 465 milionë paundë stërlina, në vetëm pak ditë që ndoqën etapat që kaluan në ishull, pak vjet më parë.

Kompanitë e ndryshme japin nga 200 000 deri në 500 000 euro për të qenë pjesë e karvanit çdo vit, ndërsa xhiroja vjetore e Turit arrin në 150 milionë euro, me fitimet që janë mbi 30 milionë euro.

Vetë çiklistët, protagonistët kryesorë të, nuk është se kanë fitime kaq të mëdha.

Fituesi merr 500 000 euro, shumë herë më pak sesa një yll i futbollit apo sesa emrat e mëdhenj të tenisit, basketbollit apo futbollit amerikan.

Që nga vendi i 20-të e më pas, çdo çiklist merr vetëm nga 1 000 euro, diçka qesharake./ABC News Albania 24/7

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!