Tuneli i grabitjes, gjurmë gishtash në veglat e punës, punonjësit e bankës: I gjenim orenditë e rrëzuara

schedule16:31 - 23 Shkurt, 2022

schedule 16:31 - 23 Shkurt, 2022

Nga Xhensila Kodra

Në shkallët dhe veglat e punës që grupi i grabitësve përdorën për të hapur tunelin për të hyrë në bankë, janë fiksuar disa gjurmë që mund ta çojë policinë në identifikimin e tyre.

Hetuesit janë të bindur se autorët kanë pasur informacione të sakta në lidhje me rrugën ku të çonte ky tunel. Nuk përjashtohet mundësia që ata të kenë pasur në duar planimetrinë.

Për shkak edhe të mënyrës se si ata kamufloheshin duke veshur uniformën e punonjësve të mirëmbajtjes dhe jelekë fosforeshentë, policia ka marrë në pyetje disa punonjës të mirëmbajtjes së kanalit si dhe ata të rrjetit elektrik.

Ata kanë mohuar të kenë lidhje me këtë skemë të mirë organizuar nga grabitësit.

Burime pranë policisë pohuan për ABC se është duke u bashkëpunuar edhe me personelin e bankës në bulevardin “Zogu i I” që ishte objekt i grabitjes.

Pikërisht këta persona sinjalizuan policinë se diçka po ndodhte, pasi dyshemenë e pikasën të çarë.

Disa prej tyre kanë pohuar se ditët e fundit kishin kuptuar se diçka nuk shkonte, pasi kishin gjetur disa sende të rrëzuara e të thyera në tokë.

Kryesisht gërmimet në tunel kryesisht gjatë orëve të pasdites duke përdorur edhe ndriçim të improvizuar.

Kjo ka qenë thuajse faza përfundimtare që grabitësit të depërtonin deri në bankë. Ata kishin nisur të hapnin edhe vrimë në murin e bankës.

Hetuesit janë duke vijuar edhe me kqyrjen e pamjeve të kamerave të sigurisë, për të zbuluar personat që futeshin në tunelin e nëndheshëm, nëpërmjet pusetës që ndodhet shumë pranë Ministrisë së Drejtësisë./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!