Inter arriti një fitore shumë të rëndësishme mbrëmjen e djeshme, duke mposhtur në “San Siro” Lazion me rezultatin 3-1. Absolutisht protagonisti kryesor për zikaltrit ishte Romelu Lukaku, i cili arriti të shënojë dy gola, duke arritur në kuotën e 300 golave në karrierë.
Bomberi belg ka qenë në një formë të shkëlqyer që kur ka mbërritur në Milano dhe nën drejtimin e Antonio Contes, Romelu po shkëlqen. Dy golat kundër lacialëve e çuan në koutën e 39 golave me fanellën zikaltër, një shifër kjo e arritur vetëm në 57 ndeshje.
Më parë 27-vjeçari ka shënuar 33 gola kur luante për Anderlecht, 17 kur u huazua te WBA dhe 68 me fanellën e Everton. Gjatë kohës së tij në “Old Trafford”, Lukaku u ndal në kuotën e 28 golave në 66 ndeshje. Gjithashtu, sulmuesi ka gjetur dhe 57 herë rrjetën me kombëtaren e Belgjikës në të gjitha kompeticionet dhe në total falë golave të djeshëm ka arritur në 300 gola në karrierë. /abcnews.al