Paraqitjet e shkëlqyera me Lokomotiv Zagreb u shpërblyen.
Indrit Tuci bën një kapërcim të madh në karrierën e tij, duke u transferuar te çekët e Sparta Prague.
Klubi i madh çek ka zyrtarizuar blerjen e sulmuesit 23-vjeçar, ndërsa do t’i lejojë atij edhe një skenë të madhe evropiane, pasi skuadra e re vazhdon rrugën në Europa League.
Po ashtu, te Sparta, Tuci do të bashkohet me Qazim Laçin, mesfushorin e Kombëtares “Kuqezi”, që te ekipi i kryeqytetit çek është një nga lojtarët më të rëndësishëm.
Madje, në videon e publikuar nga Sparta Prague është pikërisht Laçi që fton bashkëkombasin e tij.
Transferimi te gjigandët e futbollit çek vjen pas gjashtë golave të shënuar në pjesën e parë të sezonit me Lokomotiv Zagreb.
Po ashtu, në 104 ndeshje me skuadrën kroate, Indrit Tuci numëron 21 gola dhe tetë asist.
Sulmuesi ka qenë në xhiron e skuadrave të moshave “Kuqezi”, ndërsa pret ftesën e Sylvinho-s për të debutuar në kombëtaren e parë. Me transferimin te Sparta Prague, kuotat që kjo të ndodhë shpejt janë rritur ndjeshëm për sulmuesin e ri. /abcnews.al