I prezantuar zyrtarisht këtë të shtunë, Thomas Tuchel është trajneri i ri i Bayern Munich. Në botimin e sotëm, e përditshmja gjermane Bild zbuloi dhe pagën që do të marrë ish-trajneri i PSG-së në Bavari, pagë që do të jetë më e lartë se e paraardhësit të tij, Julian Nagelsmann.
Në të vërtetë, media gjermane tregon se Tuchel do të marrë nga 10-12 milionë euro në vit, një pagë disi më e ulët se ajo që merrte te “blutë” e Chelsea. Ndërkaq, kujtojmë se, trajneri 49-vjeçar ka nënshkruar kontratë me bavarezët deri në vitin 2025 dhe testi i parë do të jetë klasikja gjermane ndaj Dortmundit, pasditen e 1 prillit, ndeshje që pritet të vulosë dhe fatet e kampionatit gjerman. /i.m /abcnews.al