Tuchel i “frikësohet” “djajve”: United është gjithmonë një ekip i rrezikshëm

schedule15:52 - 19 Shtator, 2023

schedule 15:52 - 19 Shtator, 2023

Mbrëmjen e së mërkurës, “bavarezët” e Bayern Munich do të presin në “Allianz Arena” për sfidën e parë të këtij edicioni të UEFA Champions League, “djajtë e kuq” të Manchester United, në një klasike të vërtetë evropiane.

Siç e do “zakoni”, trajnerët të shoqëruar me kapitenët e ekipeve zhvillojnë një ditë para ndeshje konferencën për shtyp dhe këtë gjë e ka bërë dhe tekniku Thomas Tuchel, i cili pavarësisht formës së dobët të anglezëve u shpreh se United është gjithmonë i rrezikshëm.

“Rezultatet e tyre të fundit nuk flasin shumë për ta. Ata luajnë në mënyrë fantastike në kundërsulme me Bruno Fernandes, Marcus Rashford dhe tani Rasmus Hojlund përpara. Ne kurrë nuk duhet ta lejojmë veten të ‘fikemi’, United është gjithmonë i rrezikshëm. Lojtarët e tyre kanë shumë cilësi individuale.

Champions League është një nga turnetë më të vështirë për të marrë pjesë, por edhe më i miri. Ai është i veçantë. Më pëlqen shumë të marr pjesë rregullisht në të. Nesër turneu do të fillojë për ne me një lojë të rëndësishme.

Grupi ynë do të jetë sfidues gjatë gjithë kësaj faze, ndaj duhet të qëndrojmë plotësisht të fokusuar deri në fund. Ne duam të japim më të mirën tonë në çdo kompeticion për të qëndruar në të gjitha sa më gjatë të jetë e mundur”,- u shpreh “numri 1” i pankinës së “bavarezëve”. /i.m /abcnews.al 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!