Rreth 220 persona kanë humbur jetën si pasojë e një tsunami që ka goditur Indonezinë në zonën mes ishujve Java dhe Sumatra, ndërkohë që mbi 840 të tjerë llogariten të plagosur dhe rreth 30 të humbur. Autoritetet lokale të emergjencave kanë deklaruar se bilanci i viktimave ka gjasa të rritet pasi ekipet e shpëtimit nuk kanë mbërritur ende në disa zona të prekura nga fenomeni natyror.
Ndërsa mediat ndërkombëtare bëjnë të ditur se vetëm në Lampung, në Sumatra, viktimat janë të paktën 113; ndërsa në Pandegland të ishullit Java, mbi 90. Megjithatë, ende nuk ka një konfirmim zyrtar. Me një valë të lartë deri në 20 metra, tsunami shkatërroi disa ndërtesa, mes të cilave shumë hotele të populluara nga turistët. Sipas agjencisë indoneziane të gjeo-fizikës, dallga anormale mund të jetë shkaktuar nga lëkundje sizmike nënujore, që janë ndjekur më pas nga një shpërthim në Anak Krakatau, një ishull vullkanik i krijuar ndër vite.
Vala shkatërruese përfshiu edhe një resort ku 260 punëtorë të një kompanie shtetërore ishin mbledhur për të festuar fundvitin, duke lënë 14 të vdekur dhe 89 të humbur. Ujërat vërshuan në skenën ku po performonte një bandë muzikore, 2 anëtarë të të cilës janë konfirmuar të vdekur, ndërsa 4 të tjerë konsiderohen të humbur. /abcnews.al