Kryeministri i Greqisë Aleksis Tsipras në një samit në Athinë e konsideroi Marrëveshjen e Prespës si model ndërkombëtar për të zgjidhur konteste bilateral mes vendeve. Gjithashtu theksoi se akordi ndihmon perspektivën për të ardhmen për shkak të mundësive që ofron në planin ekonomik.
“Marrëveshja e Prespës, sipas mendimit tim, mund të jetë një model ndërkombëtar për zgjidhjen e dallimeve në mënyrë të pranueshme nga të dy palët. Një model për rajonin shumë të trazuar të Ballkanit. Kjo është një marrëveshje që e shpalos Greqinë, i mbron interesat dhe të drejtat e saj, pa u fshehur, por e sheh të ardhmen në sy si dhe mundësitë që ka përpara”.
Më tej shefi i qeverisë greke theksoi se Marrëveshja e Prespës hap dyert edhe për ekonominë rajonale. Tsipras dha edhe një shembull për këtë.
“Për shembull, vendim që së shpejti do ta marrim menjëherë pas ratifikimit të Marrëveshjes nga ana e Kuvendit grek, është për hekurudhën që lidh Athinën ose Pireun – Selanikun-Shkupin -dhe Beogradin, me një tren modern me shpejtësi të lartë që do të transportojë mallra, por edhe qytetarë. Një projekt shumë i rëndësishëm për rajonin”.
Ndërkohë, marrëveshja pritet që të miratohet në parlamentin grek. Por nuk dihet ende nëse qeveria e Tsipras I ka votat për këtë. Kjo marrëveshje kundërshtohet ashpër nga opozita por edhe nga Grekët e Pavarur, që janë pjesë e koalicionit qeverisës. /abcnews.al



