Tsipras–Erdogan, mediat greke: U shënua një hap përpara

schedule20:31 - 6 Shkurt, 2019

schedule 20:31 - 6 Shkurt, 2019

Mediat greke kanë raportuar gjerësisht për takimin e kryeministrit Aleksis Tsipras me presidentin turk Erdogan në Ankara. Pjesa më e madhe e konsiderojnë si një takim jofitimprurës, por gjithsesi si një hap para në përmirësimin e marrëdhënieve mes dy vendeve.

Mundet që takimi Erdogan-Tsipras të mos ketë prodhuar rezultate impresionuese. Por ajo që konsiderohet e rëndësishme është se u ra dakord që të rifillojnë negociatat dypalëshe për ndërtimin e masave të besimit, një proces që ishte ndërprerë pas tentativës së dështuar për grusht shteti në Turqi, në Korrik 2016.

Këtë element ka veçuar media greke, kryesisht ajo pjesë që konsiderohet si relativisht e pavarur. Ndërsa shtypi opozitar ka përdorur gjerësisht fjalën me origjinë turke “Pazar”, në titujt dhe komentet rreth takimit të djeshëm në Ankara. Kjo pjesë e konsideron takimin Erdogan-Tsipras si “një humbje tjetër të Greqisë” në rivalitetin me Turqinë. Ndërsa mediat pranë qeverisë, konsiderojnë se pati “një dialog të sinqertë”, apo se u vendos një ristartim në marrëdhëniet dypalëshe.

Në kohën që qeveria e konsideron vizitën e kryeministrit Tsipras si një “ristartim të axhendës pozitive midis Greqisë e Turqisë, pas një periudhë përkeqësimi”, bën përshtypje se partia më e madhe opozitare, Demokracia e Re, ende nuk është shprehur rreth takimit Erdogan-Tsipras. Kryetari i kësaj partie, Kiriakos Mitsotakis, kishte deklaruar dje, para mbërritjes së zotit Tsipras në Ankara, se “jam i shqetësuar për rezultatet”. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!