PS nuk e pranon propozimin e PD-së për të pezulluar vettingun për gjyqtarët zgjedhorë. Në përfundim të mbledhjes së tryezës për reformën zgjedhore, Damian Gjiknuri u shpreh qartësisht kundër duke thënë se disa nga propozimet e opozitës duhet të rishikohen sepse nuk mund të japim imunitete duke cënuar parimet e drejtësisë dhe të reformës në drejtësi.
“Disa propozime kërkojnë rishkim sepse smund të rrëzojmë gjithë reformën në drejtësi me vendim “sui generis”, pra hallet politike nuk mund ti sjellim në tryezën e reformës”. Ne mund të pranojmë që pjesë e Kolegjit Zgjedhor të bëhen gjyqtarë që kanë kaluar vettingun, por s’mund të pranojmë moratorium për gjyqtarët që nuk e kanë kaluar këtë proces filtrimi, tha Gjiknuri.
Më tej bëri edhe një koment politik kur u pyet nëse është pranuar propozimi i opozitës për qeveri tranzitore 3 muaj para zgjedhjeve.
“Qeveria tranzitore s’ka diskutim që jo, atë që nuk arritën me luftë s’mund ta marrin në tavolinë. Pra smund të ketë qeveri kujdestare”, theksoi ai.
Nderkohë për deklaratat e Presidentit për shpërndarje parlamenti apo tubim më 2 mars, ai deklaroi se PD nuk ka pse të përfshihet në lojën e Presidentit.
“Unë besoj se PD është për të miratuar Kodin Zgjedhor në bashkëpunim me Ne dhe Kuvendin. Nëse vërtet kanë zgjedhur t’i kthehen insitucioneve s’kanë pse përfshihen në lojën e Presidentit”, tha ai. /abcnews.al
Lexo edhe reagimin e Bylykbashit pas Gjiknurit :Propozimi ynë hasi në reagim të fortë nga mazhoranca