Trupi gjykues kërkon shkurtimin e kohës për intervistimin e dëshmitarëve

schedule12:21 - 19 Qershor, 2023

schedule 12:21 - 19 Qershor, 2023

Trupi gjykues në çështjen kundër ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) është shprehur i shqetësuar me ritmin e këtij procesi gjyqësor. Përmes një urdhri, kryegjykatësi Charles Smith ka kërkuar nga palët që të shkurtojnë kohën për marrjen në pyetje të dëshmitarëve.

Në fillim të seancës, Smith ka thënë se prokuroria duhet të rishikojë pyetjet në mënyrë që ndaj të akuzuarve të zhvillohet një proces gjyqësor me kohë të arsyeshme.

“Trupi gjykues është i shqetësuar me ritmin si po shkojnë dëshmitë, duke pasur synimin që prokuroria synon ta përfundojë paraqitjen e provave në prill të vitit 2025, unë u detyrova të bëjë disa llogaritje dhe kemi bërë rreth 120 orë deri në fund të kësaj jave, do të thotë rreth dhjetë dëshmitarë, ose 12 orë për dëshmitarë”, ka thënë Smith.

Gjithashtu, trupi gjykues ka thënë se prokuroria nuk ka pse t’i pyes dëshmitarët për gjëra që tashmë janë të ditura në deklaratat që ata i kanë dhënë.

Përveç kësaj, trupi gjykues ka lëshuar edhe dy urdhra të tjerë para se në gjykatore të dalë dëshmitari i dhjetë i Zyrës së Prokurorit të Specializuar, i cili po dëshmon nën masa mbrojtëse.

Gjykimi ndaj ish-krerëve të UÇK-së ka nisur më 3 prill me deklaratat hyrëse të palëve.

Para trupit gjykues, Thaçi, Veseli, Selimi dhe Krasniqi janë deklaruar të pafajshëm për akuzat për krime të pretenduara të luftës.

Ata ndodhen në qendrën e paraburgimit në Hagë prej nëntorit të vitit 2020.

/KosovaPress/

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!