Rreth 550 trupa amerikane kanë filluar të mbërrijnë përgjatë kufirit SHBA-Meksikë, grupi i parë i mbështetjes ushtarake përpara shtimit të pritshëm të valës së emigrantëve, thanë të martën zyrtarët e mbrojtjes amerikane.
Vendosja e trupave është pjesë e përpjekjeve për të forcuar sigurinë përgjatë kufirit jugor në prag të skadimit të afatit të kufizimeve të lidhura me pandeminë e koronavirusit, gjë që pritet të sjellë një rritje të numrit të imigrantëve në kufi, shkruan VOA.
Kufizimet do të skadojnë të enjten, çka ka shtuar shqetësimet lidhur me rritjen e mundshme të fluksit të migrantëve që përpiqen të hyjnë në SHBA duke filluar nga e premtja.
Forcat ushtarake do të përdoren kryesisht për të ndihmuar në monitorimin dhe vëzhgimin e kufirit, ose veprimtari administative, thotë zëdhënësi i Pentagonit, Gjenerali Pat Ryder.
Qëllimi i dërgimit të forcave ushtarake është që punonjësit e kufirit të merren vetëm me detyrat e tyre, thotë zoti Ryder. Më shumë se 900 ushtarë shtesë do të dërgohen në kufi nga fundi i majit. Sipas planit fillestar, trupat do të kenë një mision 90-ditor në kufirin mes Shteteve të Bashkuara dhe Meksikës.