Shtetet e Bashkuara janë vendi i radhës që ka ndërprerë fluturimet e avionëve “BOING”, pas incidentit të verifikuar në Etiopi. Me urdhër të presidentit Trump, avionët e modelit “MAKS 8” do të qëndrojnë në tokë derisa kompania të gjejë një zgjidhje.
Presidenti amerikan Donald Trump ka urdhëruar Administratën Federale të Aviacionit që të pezullojë përdorimin e avionëve “Boeing 737 Max 8”, pas incidentit të ndodhur ditën e diel në Etiopi. Më herët, agjencia federale e kishte lejuar përdorimin e avionëve të këtij modeli, në një kohë kur shtete të ndryshme nga Evropa në Azi e kishin ndërprerë. Presidenti Trump deklaroi se avionët do të qëndrojnë në tokë derisa kompania “Boeing” të dalë me një zgjidhje. Shtetet e Bashkuara janë vendi i fundit që pezullojnë fluturimet e “Max 8” pas aksidentit të ndodhur në Etiopi, ku humbën jetën 157 persona.
Ngjarja e së dielës ishte aksidenti i dytë i rëndë për një “Max 8” brenda 5 muajsh, pas atij të ndodhur në tetor në Indonezi, ku humbën jetën 189 vetë. Më herët gjatë së mërkurës, Kanadaja mori të njëjtin vendim për avionët, pasi ministri i Transporteve deklaroi se kishte marrë të dhëna të reja mbi incidentin. Mark Granë deklaroi se të dhënat satelitore tregonin se avioni i përdorur në Etiopi ishte i njëjtë me disa avionë “Boeing 737 Max” të përdorur në Kanada. “Si rrjedhojë e të dhënave të reja që kemi pasur mundësi t’i analizojmë, si dhe me këshillën e ekspertëve kemi shpallur një masë të re që do të qëndrojë në fuqi deri në një njoftim të mëtejshëm”, deklaroi ministri kanadez i Transporteve./abcnews.al