Trump u “shpall luftë” bankave

schedule19:15 - 30 April, 2019

schedule19:15 - 30 April, 2019

Presidenti Donald Trump u ka shpallur luftë bankave që dorëzojnë informacione mbi financat e tij në Kongresin amerikan. Trump ka deklaruar se, përpjekjet e Kongresit për të mbledhur të dhëna mbi bizneset e tij janë të pabaza dhe kanë vetëm qëllime politike.

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump ka paditur dy banka në përpjekje për të ndalur dorëzimin e dokumentave të financave të tij në Kongresin amerikan. Padia është bërë ndaj “Dojçe Bank” dhe “Kepitëll Uan”, pasi demokratët që udhëheqin komisionet parlamentare kanë kërkuar informacion mbi të ardhurat e Trump. Gjithashtu, tre fëmijët më të rritur të presidentit dhe Organizata Trump i janë bashkuar padisë, që argumenton se nuk ka baza legjitime për të hetuar bizneset e familjes Trump. Demokratët, që kanë shumicën në Kongresin amerikan, kanë deklaruar se nuk do të tremben nga kjo përpjekje e kreut të shtetit. Ndërsa një zëdhënëse e “Dojçe Bank” tha se institucioni mbetet i angazhuar për të ofruar informacionin e duhur për të gjitha hetimet e autorizuara. Ndërkohë, nga banka tjetër “Kepitëll Uan” nuk ka patur një koment. Padia është bërë në Nju Jork dhe synon të bllokojë qasjen e bankave ndaj thirrjeve të Kongresit, që po heton marrëveshjet financiare të familjes presidenciale. “Thirrjet janë lëshuar për të ngacmuar Donald Trump, për të futur hundët në çdo aspekt të financave të tij personale, bizneseve të tij dhe në informacionet private të presidentit dhe familjes”, thuhet në padinë e kreut të shtetit. Në të gjithashtu akuzohen demokratët se po përpiqen të kapen pas diçkaje për ta ekspozuar publikisht dhe për ta përdorur si vegël politike ndaj presidentit Trump.