Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, bëri thirrje të premten që Ukraina dhe Rusia të zhvillojnë bisedime të nivelit të lartë për të finalizuar një marrëveshje për t’i dhënë fund luftës mes vete, pasi i dërguari i Shtëpisë së Bardhë, Steve Witkoff, u takua me presidentin rus, Vladimir Putin, në Moskë.
Trump tha ishte një “ditë e mirë” bisedimesh pasi Witkoff u takua me Putinin për rreth tre orë të premten.
Një këshilltar i lartë i Kremlinit tha se bisedimet ishin “frytdhënëse” dhe SHBA-ja dhe Rusia i kanë përafruar më shumë qëndrimet e tyre rreth Ukrainës dhe çështjeve të tjera.
“Ata janë shumë afër një marrëveshjeje, dhe palët duhet të takohen tani, në nivele shumë të larta, për ta ‘përmbyllur’ [marrëveshjen]”, shkroi Trump në Truth Social pas mbërritjes në Romë për varrimin e Papa Françeskut.
“Për shumicën e pikave kryesore është arritur pajtueshmëri. Ndaleni gjakderdhjen, TANI. Ne do të jemi kudo që është e nevojshme për të ndihmuar në LEHTËSIMIN e përfundimit të kësaj lufte mizore dhe të pakuptimtë!” shtoi ai.


