Trump, tjetër tërheqje nga zonat e luftës

schedule08:26 - 22 December, 2018

schedule08:26 - 22 December, 2018

Pas Sirisë, Donald Trump ka në plan të tërheqë edhe trupat nga Afganistani. Por lëvizjet surprizë të presidentit amerikan kanë shqetësuar aleatët e Shteteve të Bashkuara në Europë, që druhen se vendime të tilla mund të kenë pasoja të rënda për sigurinë globale.

Pas Sirisë, administrata e presidentit Donald Trump po planifikon të tërheqë disa mijëra trupa nga Afganistani. Mediat amerikane, të cilat citojnë burime të mirinformuara, bëjnë me dije se rreth 7 mijë trupa, thuajse gjysma e pranisë ushtarake amerikane në Afganistan, mund të kthehen në shtëpi brenda pak muajsh.

Edhe pse lajmi nuk ka gjetur ende një konfirmim zyrtar, analistët paralajmërojnë se një tërheqje e mundshme do të kishte efekte shkatërruese dhe do t’u ofronte talebanëve një shans për të propaganduar fitoren. I kontaktuar nga agjencia e lajmeve AFP, një zëdhënës i militantëve ka deklaruar: “Ne nuk e prisnim një reagim të tillë nga Shtetet e Bashkuara, por jemi shumë të lumtur”.

Njoftimi vjen pak ditë pas atij për tërheqjen e menjëhershme nga Siria, lëvizje kjo që detyroi sekretarin e Mbrojtjes, Jim Mattis të jepte dorëheqjen nga posti dhe që ka shkaktuar frikë tek aleatët europianë të Amerikës. Presidenti francez Emmanuel Macron i ka dërguar një mesazh Trump, ku i thotë: “Kujdes! Mendoj se është paksa si herët për ta bërë këtë”.

Ndërsa ministrja gjermane e Mbrojtjes, Ursula Fon der Lejen ka deklaruar se Shtetet e Bashkuara duhet të jenë më të qarta sa u takon vendimeve të tyre, pasi ato kanë një impakt të rëndësishëm në sigurinë globale. Sekretari Mattis shihej në Europë si një mbështetës i palëkundur i NATO-s, ndryshe nga shefi i Shtëpisë së Bardhë, që disa herë ka paralajmëruar se Shtetet e Bashkuara mund ta braktisin Aleancën ushtarake.

Veç Europës, me shqetësim ndaj largimit të Mattis kanë reaguar edhe Japonia dhe Korea e Jugut, të cilat e shohin Amerikën si aleat të rëndësishëm kundër fuqizimit ushtarak të Kinës. Edhe qeveria në Afganistan, ku Mattis ka shërbyer si gjeneral i trupave amerikane, ka mbetur e shtangur nga dorëheqja e tij./abcnews.al