Trump shpall 5 dhjetorin, ditë zie kombëtare për Xhorxh H.W.Bush

schedule10:57 - 2 Dhjetor, 2018

schedule 10:57 - 2 Dhjetor, 2018

Ish-presidenti amerikan, Xhorxh Herbert Walker Bush vdiq në shtëpinë e tij në Hjuston, të Teksasit. Ai ishte 94 vjeç. Presidenti i 41-të i Shteteve të Bashkuara, një republikan që shërbeu një mandat nga viti 1989 në vitin 1993, mbahet mend për dëbimin e trupave pushtuese irakiane nga Kuvajti dhe për përpjekjet drejt një marrëveshjeje paqësore në Lindjen e Mesme.

Kur ushtria irakiane aneksoi Kuvajtin në gusht të vitit 1990, presidenti Bush krijoi një koalicion ndërkombëtar të forcave ajrore dhe tokësore për të çliruar vendin e pasur me naftë dhe për të siguruar aleatët në rajonin e Gjirit. Operacioni për të liruar Kuvajt nisi në janar të vitit pasues.

“Pesë muaj më parë Saddam Husseini filloi këtë luftë mizore kundër Kuvajtit. Sonte fillon beteja”, u shpreh atëherë presidenti George H.W.Bush.

Operacioni Desert Storm i udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara i sprapsi forcat irakiane brenda gjashtë javësh dhe presidenti Bush vendosi të ndalë ofensivën. Shumë e kritikuan atë vendim si të parakohshëm, por prestigji i Bushit u ngrit lart në vend dhe jashtë tij. Ai e përdori këtë për të ringjallur procesin e paqes arabo-izraelite, dhe kjo përpjekje rezultoi me Konferencën e Madridit më vonë në të njëjtin vit. Përpjekja e tij për të rivendosur rendin në Somalinë e shkatërruar nga dhuna në dhjetor 1992, javët e fundit të presidencës së tij, ishte më pak e suksesshme dhe luftimet vazhduan gjatë presidencës së zotit Klinton.

Presidenti Bush pasoi Presidentin Ronald Reagan në vitin 1989, pasi shërbeu dy mandate si nënpresident i tij. Presidenca e tij përjetoi ndryshime të mëdha botërore, duke filluar me rënien e Murit të Berlinit gjatë vitit të tij të parë në detyrë. Pastaj Bashkimi Sovjetik u shemb në vitin 1991 dhe presidenti Bush dhe presidenti i fundit sovjetik Mikhail Gorbaçov njoftuan një partneritet strategjik amerikano-rus, duke sinjalizuar fundin e Luftës së Ftohtë.

Por në frontin e brendshëm, presidenti Bush i zhgënjeu votuesit duke mos realizuar premtimin e fushatës së tij për të ulur taksat.

Presidenti republikan u detyrua nga shumica demokratike në Kongres të ngrinte taksat për të frenuar defiçitin buxhetor në rritje. Recesioni ekonomik dhe pyetjet e vazhdueshme në lidhje me përfundimin e Luftës së Gjirit kontribuan në rënien e vlerësimit të punës së tij duke bërë që ai të humbiste garën për t’u rizgjedhur në vitin 1992.

Pas humbjes së zgjedhjeve, Bush u tërhoq nga politika dhe e bëri Teksasin shtëpinë e tij të përhershme, aty ku kishte bërë pasurinë e tij në biznesin e naftës. Por, ai nuk u zhduk nga syri i publikut. Presidenti Bush ishte aktiv në fushatën presidenciale të djalit të tij 8 vjet më vonë.

” Ky djalë, ky biri ynë nuk do t’ju lërë në baltë. Ai do të bëjë çdo përpjekje dhe do të shërbejë me nder të madh – gjatë gjithë rrugës!

Në vitin 2005, me kërkesën e djalit të tij Xhorxh, i cili u bë presidenti i 43-të i Shteteve të Bashkuara, Bushi i vjetër u bashkua me ish-rivalin Bill Clinton për të ndihmuar në përpjekjet e shpëtimit pas Uraganit Katrina.

Midis nderimeve të ndryshme, ai ka marrë atë të kalorësisë nga Mbretëresha Elizabet e Britanisë dhe Medaljen e Lirisë nga presidenti Barak Obama.

Ish-aviator i Marinës së Shteteve të Bashkuara dhe veteran i dekoruar i Luftës së Dytë ai festoi disa prej ditëlindjeve të tij duke ushtruar sportin e hedhjes nga avioni në fluturim, madje edhe kur mbushi 90 vjeç. /VOA

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!