Administrata e presidentit Donald Trump publikoi të hënën një rregull të ri gjithëpërfshirës që do të kufizojë emigracionin e ligjshëm duke u mohuar vizën dhe qëndrimin e përhershëm qindra mijëra njerëzve për shkak se janë të varfër. Rregulli i ri i Trump do të hyjë në fuqi më 15 tetor dhe do të refuzojë aplikantët për viza të përkohshme ose të përhershme për shkak se dështojnë të arrijnë standardet e të ardhurave, ose sepse marrin asistencë publike.
Menjëherë pasi rregulli i ri u njoftua, Qendra Kombëtare për Emigracionin paralajmëroi se do ta padisë atë, në mënyrë që ta pengojë të hyjë në fuqi. Për grupin në fjalë, ky rregull bazohet në motive raciste.
Nisma e re është pjesë e përpjekjeve të Trump për të frenuar emigracionin e ligjshëm dhe atë të paligjshëm, një çështje që e ka kthyer në gur themeli të presidencës së tij.
Rregulli prej 837 faqesh mund të jetë më drastiku i të gjitha politikave të administratës së Trump në dëm të sistemit të emigracionit të ligjshëm – kanë deklaruar ekspertët.
Ndërsa avokatët e çështjeve të emigracionit e kanë kritikuar planin si një përpjekje për të ndryshuar ligjin amerikan duke anashkaluar Kongresin. Rregulli është derivat i Aktit të Emigracionit të vitit 1882, që i lejon qeverisë amerikane t’i mohojë vizën kujtdo që ka gjasa të bëhet barrë publike./ABC News Albania 24/7