Trump reagon për situatën në Rripin e Gazës

schedule14:50 - 7 Maj, 2019

schedule 14:50 - 7 Maj, 2019

Presidenti amerikan Donald Trump i ka bërë apel popullit në Rripin e Gazës që të distancohen nga Hamas, pasi kjo lëvizje do e çojë vendin në mjerim. Kreu i Shtëpisë së Bardhë rikonfirmoi dhe njëherë më shumë mbështetjen ndaj Izraelit duke e konsideruar si objektiv të sulmeve të Hamas.

Është një qetësi jo reale ajo në Rripin e Gazës. Armëpushimi i hyrë në fuqi mëngjesin e të hënës falë ndërmjetësimit egjiptian, u cilësua i brishtë nga shumë vëzhgues ndërkombëtarë. Armëpushimi i fundit, dhe ai i arritur me ndërmjetësimin egjiptian me rastin e zgjedhjeve izraelite të muajit prill, u thye fundjavën e kaluar me një seri sulmesh nga të dyja palët. Sulme që shkaktuan të paktën 25 viktima, 20 prej të cilëve palestinezë.

Sipas analistëve Izraeli dhe Hamas nuk mund të arrijnë një armëpushim që të zgjasë shumë. Izraeli po kërkon një qetësi totale në Rripin e Gazës, si dhe fundin e protestave të së premtes të cilat vazhdojnë prej një viti tashmë. Hamas nga ana tjetër kërkon heqjen e bllokimeve që po shtypin rripin e Gazës që nga viti 2007. Për këtë arsye palët nuk kanë arritur të gjejnë një ekuilibër që të funksionojë nga të dyja anët e kufirit.

Ndërkohë presidenti amerikan Donald Trump rikonfirmoi mbështetjen ndaj Izraelit me anë të një mesazhi në Twitter, duke e konsideruar vendin si objekti v të sulmeve me raketa nga ana e Hamas dhe xhihadit Islamik. Trump gjithashtu i bën apel popullsisë në Rripin e Gazës që të distancohen nga Hamas i cili do e çojë popullin në mjerim

Konflikti shpërtheu sërish pas plagosjes së dy ushtarëve izraelitë gjatë protestës së të premtes. Ndaj sulmeve ajrore të Izraelit, Hamas u përgjigj me hedhjen e qindra raketave./ABC News Albania 24/7

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!