Presidenti i zgjedhur amerikan Donald Trump, pas njoftimit të kryeministrit kanadez Justin Trudeau për dorëheqjen e tij, ka bërë një postim në të cilin flet sërish për “shtetin e 51-të” të SHBA-ve.
“Shumë njerëzve në Kanada u pëlqen të jenë shteti i 51-të. Shtetet e Bashkuara nuk mund të vuajnë më deficitet dhe subvencionet masive tregtare që Kanadasë i duhen për të qëndruar në këmbë. Justin Trudeau e dinte këtë dhe dha dorëheqjen,” shkroi Trump në rrjetin e tij social Truth Social.
Duke iu referuar Trudeaut si “guvernator” dhe jo si kryeministër, Trump tha se Kanadaja do të ishte më e sigurt nëse do të bashkohej me SHBA-në.
“Nëse Kanadaja do të bashkohej me SHBA-në, nuk do të kishte tarifa, taksat do të uleshin shumë dhe ato do të ishin plotësisht të sigurta nga kërcënimi i anijeve ruse dhe kineze që i rrethojnë vazhdimisht. Së bashku, çfarë Kombi i madh do të ishim!!!”, shtoi më tej presidenti i zgjedhur amerikan./abcnews.al