Presidenti amerikan Donald Trump është përplasur me sekretarin e Mbrojtjes, Pete Hegseth, për shkak të mungesës së raketave në arsenalin amerikan pas konfliktit me Iranin. Lajmi është bërë i ditur nga The Washington Post, duke cituar dy burime të informuara.
Sipas raportimit, tensioni shpërtheu javën e kaluar gjatë një takimi në Camp David, ku Trump kërkoi shpjegime nga Hegseth për rënien e ndjeshme të rezervave të raketave amerikane.
Ndërkohë, CNN raportoi se Shtetet e Bashkuara kanë përdorur afro 80% të rezervave të tyre të raketave gjatë operacioneve ushtarake kundër Iranit. Hegseth e hodhi poshtë këtë raportim, duke e cilësuar si “lajm të rremë”.
Megjithatë, sipas The Washington Post, gjatë mbledhjes së qeverisë në Camp David, Trump shprehu pakënaqësinë e tij për mungesën e raketave me rreze të gjatë veprimi dhe interceptorëve të mbrojtjes ajrore.
Burimet thanë se pikërisht kjo mungesë ndikoi në vendimin e presidentit amerikan për të mos urdhëruar sulme të reja ndaj Teheranit në ditët e fundit.
Sipas të njëjtave burime, Hegseth ia atribuoi përgjegjësinë zëvendësit të tij, Stephen Feinberg.
E pyetur nga The Washington Post për raportimet mbi përplasjen mes Trump dhe Hegseth, zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Karoline Leavitt, i mohoi kategorikisht ato.
“Kjo histori është 100% e pavërtetë. Presidenti Trump ka besim të plotë te sekretari Hegseth”, deklaroi ajo.


