Presidenti amerikan Donald Trump i ka dhënë afat Hamasit deri të dielën për të pranuar planin e tij të paqes për Gazën, ndryshe do të përballet me një ferr.
Në një postim në platformën e tij Truth Social, Trump tha se deri në orën 6 pasdite, me orën e Uashingtonit, marrëveshja duhet të jetë pranuar.
“Një marrëveshje duhet të arrihet me Hamasin deri të dielën në mbrëmje në orën 6 pasdite, sipas orës së Uashingtonit. Çdo vend e ka nënshkruar! Nëse kjo marrëveshje e mundësisë së fundit nuk arrihet, i gjithë ferri, siç nuk është parë ndonjëherë, do të shpërthejë kundër Hamasit. Do të ketë paqe në Lindjen e Mesme në një mënyrë apo një tjetër”
Presidenti amerikan e akuzoi grupin militant palestinez se ka qenë një kërcënim i pamëshirshëm dhe i dhunshëm në Lindjen e Mesme, gjë që kulmoi me masakrën e 7 tetorit në Izrael në vitin 2023. Ai tha se më shumë se 25 mijë ushtarë të Hamasit janë vrarë, ndërsa pjesa tjetër janë të bllokuar ushtarakisht dhe do të mjaftonte vetëm një fjalë e tij për t’i dhënë fund.
Ai u kërkoi palestinezëve të pafajshëm të largohen në pjesë të sigurta të Gazës dhe shtoi se dhuna dhe gjakderdhja do të ndalen.
Plani i Donald Trump propozon ndër të tjera ndërprerjen e menjëhershme të luftimeve dhe lirimin e pengjeve të mbetura brenda 72 orëve nga pranimi i marrëveshjes.
Sipas mediave ndërkombëtare, ndërmjetësuesit arabë dhe turq se po i bëjnë presion Hamasit për një përgjigje pozitive ndaj propozimit. Megjithatë media britanike BBC shkruan se kreu i krahut ushtarak të Hamasit në Gaza ka lënë të kuptohet se nuk pajtohet me planin e ri.
Nga ana tjetër disa nga liderët politikë të Hamasit në Katar janë të hapur ta pranojnë propozimin me disa ndryshime, por ndikimi i tyre është i kufizuar.
Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu e pranoi planin e Trump, por në deklarata të mëvonshme tha se do e refuzojë një shtet palestinez, drejt të cilit marrëveshja çon gradualisht. Ai theksoi gjithashtu se ushtria izraelite do të mbetet në Gaza, ndryshe nga ajo që parashikon propozimi i presidentit amerikan.
/ abcnews.al /

