Trump padit prokurorin e Manhatanit

schedule23:30 - 19 Shtator, 2019

schedule 23:30 - 19 Shtator, 2019

Një prokuror i Manhatanit është përpjekur të hetojë shlyerjen e detyrimeve tatimore nga presidenti Donald Trump dhe bizneset miliardere të tij. Pas përpjekjeve të shumta, hetuesit federal tani i duhet të përballet me një padi të bërë nga kreu i shtetit.

Donald Trump paditi të enjten prokurorin e rajonit të Manhatanit, i cili kishte kërkuar të dhëna mbi shlyerjen e detyrimeve tatimore nga presidenti i Shteteve të Bashkuara.

Sipas mediave amerikane, përmes padisë së tij, Trump ka vënë në dyshim kushtetutshmërinë e kërkesave të bëra nga prokurori Sajrus Vens, i cili vetëm tre ditë më parë kishte kërkuar detaje mbi detyrimet personale dhe ato të bizneseve të familjes Trump.

Deri më sot Trump ka refuzuar të bëjë publike të dhënat mbi taksat, ndryshe nga premtimi i bërë kur kandidonte për Shtëpinë e Bardhë në vitin 2016. Ndërkohë, një zëdhënës i prokurorit ka deklaruar se zyra e tij do t’i përgjigjet padisë, por për momentin ka refuzuar të japë detaje të tjera mbi mënyrën e reagimit.

Sipas revistës “The Times”, prokurori Sajrus Vens i kishte bërë kërkesat e tij në institucionet përkatëse menjëherë pasi kishte hapur një hetim penal mbi rolin e Trump dhe bizneseve të tij në kryerjen e pagesave të fshehta përpara zgjedhjeve të vitit 2016.

Në pagesat në fjalë përfshihet edhe ajo prej 130 mijë dollarë që ish-avokati i presidentit, Majkëll Kohen i kishte bërë aktores së filmave për të rritur Stormi Daniels, për të fshehur një marrëdhënie të përfolur me Trump gjatë vitit 2006.

Aktualisht Kohen po shlyen një dënim me 3 vjet burg për shkelje të ligjeve financiare gjatë fushatës elektorale, për evazion fiskal dhe mashtrim të Kongresit amerikan. Paralelisht, presidenti Trump po përpiqet të bllokojë bankën gjermane Dojçe Bank të dorëzojë të dhënat financiare mbi të, ku përfshihet pagimi i taksave, gjë e kërkuar edhe nga dy komisione të Kongresit të kontrolluar nga demokratët./ABC News Albania 24/7

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!