Trump padit mediat amerikane, kërkon 10 miliardë dollarë dëmshpërblim për artikujt kritikë gjatë fushatës

schedule18:09 - 15 Nëntor, 2024

schedule 18:09 - 15 Nëntor, 2024

Presidenti i sapozgjedhur në krye të Amerikës, Donald Trump, duket se nuk po lë pas kritikat e bëra për të nga mediat dhe botuesit. Në fjalimin e fitores, presidenti Trump është shprehur se mediat janë ‘kampi i armikut’ dhe tanimë po i ndjek çështjet në rrugë ligjore.

Sipas The Guardian, disa ditë para zgjedhjeve presidenciale, avokati i Trump, Edward Andrew Paltzik, i dërgoi një letër New York Times-it dhe Penguin Random House, duke kërkuar 10 miliardë dollarë dëmshpërblim për artikuj që kritikonin Trump.

Gjithashtu, pretendohet se New York Times kishte vepruar si një “zë i partisë Demokratike”, duke u angazhuar në një fushatë “shpifjeje industriale” kundër kundërshtarëve politikë.

Por jo vetëm kaq, në letrën e tij bëhej me dije se New York Times kishte për qëllim të dëmtonte imazhin e markës “botërore” të Trump, përfshirë bizneset e tij në pasuri të paluajtshme dhe të dëmtonte figurën e tij si kandidat për president.

Përveç New York Time-s, në valën e akuzave është edhe Daily Beast. Në fillim të nëntorit, bashkëkryetari i fushatës së Trump, Chris LaCivita, i dërgoi një letër lidhur me një korrigjim të një artikulli që raportonte se LaCivita kishte mbledhur 22 milionë dollarë për fushatën e Trump.

Por për ekipin e Trump, korrigjimi nga Daily Beast nuk e pastronte mjaftueshëm emrin e LaCivita nga akuza për abuzim me fondet e fushatës.

Në radhën e të akuzuarve është edhe CBS, gjatë intervistës të 7 Tetorit me zëvendëskryeministren Kamala Harris. Padia pretendonte se intervista ishte edituar për të ndërhyrë në zgjedhje dhe akuzon CBS për veprime “shpifëse dhe mashtruese” në mbështetje të fushatës së Harris. CBS ka reaguar duke mohuar akuzat dhe e ka quajtur padinë “pa bazë.”

Trump ka paraqitur një ankesë në Komisionin Federal të Zgjedhjeve kundër Washington Post, me akuzën e dhënieve të kontributeve të paligjshme në natyrë për fushatën e Harris.

Washington Post ka mohuar gjithashtu akuzat duke i cilësuar ato si “të papranueshme” dhe “pa meritë.”

Reagim ka patur gjithashtu edhe nga Komiteti për Mbrojtjen e Gazetarëve, i cili ka theksuar se sulmet e Trump ndaj medias janë një “rrezik i drejtpërdrejtë” për lirinë e shtypit brenda dhe jashtë SHBA-ve.

Me ardhjen e Trump në pushtet, mbetet të shihet qasja e tij në raport me median ku problematike pritet të jetë e ardhmja e lirisë së mediave amerikane./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!