Trump nuk bashkëpunoi me rusët, por pengoi drejtësinë

19:42 | 18/04/201919:420

Në Shtetet e Bashkuara kanë nisur të publikohen detajet e raportit të Robert Myler mbi ndërhyrjen ruse. Në mungesë të provave që të dokumentojnë lidhjet e Donald Trump me Rusinë, stafi ligjor i Presidentit ka shpallur fitoren.

Në Shtetet e Bashkuara kanë nisur të publikohen detajet e raportit të prokurorit të posaçëm Robert Myler mbi ndërhyrjen e përfolur ruse në zgjedhjet e 2016-s. Raporti nënvizon se presidenti Donald Trump nuk ka shkelur ligjin dhe se nuk ka patur lidhje të stafit të tij elektoral me Moskën. Por nga ana tjetër, në raport citohen 10 raste kur Trump akuzohet se është përpjekur të pengojë drejtësinë në hetimet e saj. Gjithashtu, raporti thotë se Trump disa herë është përpjekur të shkarkojë nga detyra Robert Myler, që po hetonte lidhjet e dyshuara me palën ruse. Sidoqoftë, për ekipin ligjor të presidentit, raporti shënon një fitore të padiskutueshme në favor të tij. Vetë Trump, përmes një postimi në rrjetin social Twitter ka deklaruar se, “për demokratët lojërat marrin fund këtu”.

Por raporti përmban edhe të dhëna të tjera të cilat tregojnë se shefi i Shtëpisë së Bardhë shkarkoi shefin e FBI-së Xhejms Komej dhe nëndrejtorin Endriu Mek Kejb për shkak të refuzimit të tyre për të  deklaruar se presidenti nuk ishte person nën hetim. Gjithashtu, në dokumentin prej 400 faqesh thuhet se Trump ishte në dijeni për kontaktet e këshilltarit të tij për sigurinë Majkëll Flin me ambasadorin rus, përpara se të merrte detyrën, por provat në zotërim nuk mjaftonin për të ngritur një akuzë. Pak përpara publikimit të raportit, prokurori i përgjithshëm i Shteteve të Bashkuara, Uilliam Berr mori në mbrojtje presidentin, kur tha se ai ishte përballur me një situatë të paprecedentë.

“Sapo ka marrë detyrën dhe është përpjekur të ushtrojë përgjegjësitë e tij si kryetar shteti, agjentët federalë dhe prokurorët filluan të hetonin sjelljen e tij para dhe pas zgjedhjes”, deklaroi kryeprokurori amerikan përpara se t’ia dërgonte raportin Kongresit. Në të njëjtën kohë, shtoi ai, në media pati një spekulim të vazhdueshëm mbi fajësinë personale të presidentit. “Megjithatë, sikurse ai e tha vetë në fillim, nuk ka patur lidhje me Moskën”, vijoi Barr. Duke reaguar, demokratët në Dhomën e Përfaqësuesve kritikuan kryeprokurorin, duke thënë se konferenca e tij për shtyp vë në dyshim paanshmërinë e tij në këtë proces. /abcnews.al

 

Lini koment

E-maili nuk do te publikohet. Duhen plotesuar *


Rreth Nesh

ABC NEWS është i pari televizion në Shqipëri që në ditën e parë të transmetimeve nis me lidhje direkte nga 7 studio lokale ne Shkodër, Durrës, Elbasan, Korcë, fier, Vlorë e Gjirokaster. Për të pasuruar gjeografinë e informacionit së shpejti do të mundesohet edhe studio nga Lezha me transmetime live në cdo kohë.
Në faqen zyrtare në internet, abcnews.al do të gjeni portalin më të pasur ballkanik me lidhje në rrjetet më të mëdha sociale facebook, twitter si dhe në një prej websiteve më të fuqishëm në kulturën e internetit YOUTUBE. Transmetimi i ABC news është live 24 ore. 
NUIS/NIPT K01711004F


Kontakt

Telefono