Presidenti amerikan Donald Trump njoftoi se do të takohet përsëri me diktatorin e Koresë së Veriut në Janar ose në Shkurt të 2019-s. Kreu i Shtëpisë së Bardhë tha se për zhvillimin e samitit të dytë po merren në konsideratë 3 shtete.
Pasi vendosi në pauzë dosierin tregtar me Kinën, Donald Trump rihapi atë mbi fuqinë bërthamore të Koresë së Veriut. Në bordin e Air Force One, duke u kthyer nga G20-a i Argjentinës, presidenti amerikan u tha gazetarëve se takimi i tij i dytë me Kim Jong-Un, pas atij historik Qershorin e kaluar në Singapor, ndoshta do të zhvillohet në fillim të vitit të ardhshëm, në janar ose shkurt.
“Ne kuptohemi shumë mirë”, shpjegoi ai, duke thënë se po studiohen tre vende të mundshme për zhvillimin e këtij samiti.
Sigurisht ky takim i dytë nuk mund të kufizohet si i pari në një deklaratë qëllimesh. Ndërkohë, negociatat për çarmatosjen bërthamore duket se nuk kanë bërë hapa të konsiderueshëm përpara. Kim Jong-Un tregoi shenja nervozizmi pasi nuk përfitoi ndonjë lehtësim të sanksioneve, duke e shfaqur këtë me një vizitë në vendin e testimit të një arme taktike të re misterioze.
Presidenti i Koresë së Jugut, Moon Jae-In, gjithmonë një ndërmjetës kyç, ka marrë nga Veriu gatishmërinë për të çmontuar reaktorin kryesor të tij bërthamor në prani të vëzhguesve ndërkombëtarë. Por Shtetet e Bashkuara tani dëshirojnë një afat kohor të qartë për lamtumirën ndaj arsenalit bërthamor.
Pra samiti i parë kalendarik, përpara atij Trump-Kim, mund të jetë vizita e diktatorit në Seul, një takim për të cilin ai dhe Moon ishin dakordësuar me rastin e urdhëtimit të këtij të fundit në Veri në muajin Shtator. Në G20-n Moon pati takim me Trump, nga i cili ka marrë dritën e gjelbër për të vazhduar. Në këtë pikë, sipas disa mediave koreanojugore, udhëtimi i Kim Jong-Un në kryeqytetin e Jugut, i pari në historinë e dinastisë, mund të ndodhë në fund të këtij viti./abcnews.al