Trump në Britani, vlerëson figurën e May

schedule19:00 - 4 Qershor, 2019

schedule 19:00 - 4 Qershor, 2019

Presidenti Donald Trump ka marrë të gjithë vëmendjen në konferencën për shtyp të mbajtur të martën me kryeministren britanike Theresa May. Ndryshe nga më parë, Trump ka lënë mënjanë tonet ironike dhe mosmarrërveshjet mes dy vendeve, duke zgjedhur të vlerësojë figurën e zonjës Mej dhe të premtojë marrëveshje të mëdha pas daljes së Britanisë nga BE-ja.

Në ditën e dytë të vizitës në Mbretërinë e Bashkuar, presidenti Donald Trump i premtoi Britanisë një marrëveshje “fenomenale” tregtare pas daljes nga BE-ja. Në konferencën për shtyp të mbajtur me kryeministren Theresa May, Trump la mënjanë mosmarrëveshjet mes dy vendeve sa i takon një sërë çështjesh dhe vlerësoi aleancën mes tyre. “Është aleanca më e madhe që bota ka njohur ndonjëherë”, deklaroi Trump.

Ndryshe nga më parë, kur nuk i kursente tonet kritike, Trump këtë herë vlerësoi figurën e kryeministres Mej, duke e cilësuar atë një “profesioniste të jashtëzakonshme”. Një nga pikat kyçe të mosmarrëveshjeve mes Shteteve të Bashkuara dhe Britanisë ka qenë vendimi i kësaj të fundit për t’i lejuar kompanisë kineze “Huaëei” një rol të kufizuar në ndërtimin e rrjetit të internetit 5G. Por pas një orë bisedime me kryeministren Mej, Trump tha se çdo problem mund të zgjidhet. “Kemi një marrëdhënie të jashtëzakonshme të bazuar tek inteligjenca, ndaj do të jemi në gjendje të tejkalojmë çdo mosmarrëveshje”, tha Trump. “Ne e biseduam këtë çështje dhe unë nuk shoh asnjë limit mes nesh.

Kjo është një aleancë e madhe dhe ne nuk do të kemi probleme me njëri-tjetrin”, shtoi ai. Irani, një tjetër pikë e nxehtë mes Uashingtonit dhe Londrës, me zor u prek nga Trump në konferencën e shtypit. “Britania është një vend i madh dhe është normale që të kërkojë të ruajë identitetin e tij, të ketë kufijtë e tij dhe të zhvillojë politikat e tij”, vijoi presidenti amerikan. Ndërsa sa i takon Breksit ai theksoi se duhet të ndodhë sa më parë dhe t’i hapë rrugë një marrëveshjeje tregtare madhore.

“Ndërsa Britania po përgatitet të dalë nga BE, Shtetet e Bashkuara janë të angazhuara për arritjen e një marrëveshjeje fenomenale mes dy vendeve. Ka një potencial të madh, dy ose tre herë më shumë se tregtia aktuale”, tha Trump.

Nga ana e saj, kryeministrja Mej vlerësoi gjithashtu aleancën e “çmuar dhe të thellë” mes dy vendeve dhe tha se miqtë duhet të hapen me njëri-tjetrin kur kanë mosmarrëveshje. “Unë gjithmonë kam folur hapur me ty, Donald, kur kemi patur qasje të ndryshme dhe t’i ke bërë të njëjtën gjë me mua”, tha May. Shefja në ikje e qeverisë britanike theksoi se, bashkëpunimi dhe kompromisi janë bazat e një aleance të fortë dhe nuk ka gjë më të vërtetë se kjo kur bëhet fjalë për Shtetet e Bashkuara dhe Britaninë./ABC News Albania 24/7

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!