Mbrëmjen e së hënës presidenti Donald Trump iu bashkua banketit të shtruar nga mbretëresha Elisabeth në pallatin Bakingem. Sipas BBC, në një fjalim të mbajtur, Trump vlerësoi miqësinë e rëndësishme 7-dekadëshe mes Shteteve të Bashkuara dhe Britanisë së Madhe, të cilën e quajti një “thesar” të vërtetë. Ndërsa mbretëresha nga ana e saj u shpreh se, palët po festojnë një aleancë që i ka garantuar dy popujve siguri dhe prosperitet ndër dekada. Ndërkohë, presidenti amerikan nuk heqi dorë edhe nga Tëitter-i, përmes të cilit deklaroi se Uashingtoni dhe Londra mund të negociojnë së shpejti një marrëveshje tregtare. “Tregtia e madhe është e mundur sapo Mbretëria e Bashkuar të çlirohet nga prangat”, tha Trump në profilin e tij, duke shtuar se bisedimet në këtë drejtim kanë filluar. Në banketin e shtruar Trump u ul në të djathtë të mbretëreshës, e cila ndodhej në krye të një tryeze në formë patkoi. Ndërsa princi Çarls u ul në të majtë të saj, pas zonjës së parë Melania Trump. /ABC News Albania 24/7