Trump minimizon përmasat e sulmit kibernetik

schedule18:52 - 20 Dhjetor, 2020

schedule 18:52 - 20 Dhjetor, 2020

Presidenti amerikan Donald Trump i minimizoi përmasat e sulmit kibernetik për të cilin dyshohen operativët rusë dhe që ka ekspozuar rrjetet kompjuterike të agjencive qeveritare dhe të kompanive private.

Pas disa ditë heshtjeje, Presidenti Trump komentoi dje për herë të parë në Twitter mbi sulmin, i cili mendohet të ketë prekur të paktën 18,000 klientë të firmës kompjuterike SolarWinds me qendër në Teksas.

Por ndryshe nga zyrtarët e inteligjencës dhe ligjvënësit, të cilët paralajmëruan se dëmet e sulmit kibernetik vazhdojnë, presidenti tha se “gjithçka është nën kontroll”. “Unë jam plotësisht i informuar… Sulmi kibernetik ishte shumë më i madh në median e lajmeve të rreme se sa në realitet,” shkroi ai, duke hedhur poshtë sugjerimet se pas sulmit qëndron Rusia.

Komentet e tij bien ndesh me ato të Sekretarit të Shtetit Mike Pompeo, i cili tha se agjencitë e inteligjencës janë ende duke e analizuar sulmin, por të gjitha provat tregojnë se pas tij qëndron Kremlini.

Ndërkohë sot, senatori republikan Mitt Romney tha se hyrja e hakerëve në të dhënat e agjencive të ndryshme të qeverisë amerikane ishte “jashtëzakonisht e dëmshme” dhe se Presidenti Trump “nuk i sheh gjërat kur kanë të bëjnë me Rusinë”.

Agjencitë amerikane të prekura nga sulmi kibernetik përfshijnë departamentet e Energjisë, të Thesarit dhe të Tregtisë, si dhe qeveritë shtetërore dhe lokale./VOA

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!