Kongresi Amerikan ka vetëm dy ditë kohë për të shmangur një mbyllje të pjesshme të qeverisë, pasi presidenti i zgjedhur, republikani Donald Trump hodhi poshtë një marrëveshje dy partiake mbrëmjen e të mërkurës dhe kërkoi që të ketë një rritje të tavanit të borxhit të vendit përpara se ai të marrë detyrën muajin e ardhshëm.
Trump iu bëri presion kolegëve të tij republikanë në Kongres për të refuzuar një projekt-ligj të hartuar për të mbajtur qeverinë hapur pas afatit të mbylljes së saj që është mesnata e të premtes. Nëse kjo marrëveshje do të arrihej do të kishte një zgjatje të financimit deri më 14 mars.
Në postimet e tij ne Truth Social, Trump kërcënoi se do të punonte të rrëzonte “çdo republikan që do të ishte aq budalla sa” të votonte në favor të versionit aktual të projektligjit, i cili u zbulua të martën nga udhëheqësit e Dhomës se Përfaqësuesve dhe Senati Amerikan.
Kërkesa e Trump për të hedhur poshtë projektligjin që do të vazhdonte financimin e qeverisë erdhi edhe pas presionit të bërë nga Elon Musk, i cili është i angazhuar nga republikani në bashkëdrejtimin e departamentit të eficencës.
Nëse Kongresi nuk gjen asnjë zgjidhje deri të premten kur është edhe afati i fundit për miratimin e një projektligji, atëherë kjo do te ishte mbyllja e parë e qeverisë që nga mbyllja 35 ditore në fund të vitit 2018 dhe në nisje te vitit 2019 përgjatë mandatit të parë të Trump në Shtëpinë e Bardhë.
Trump bëri thirrje, në një deklaratë të përbashkët me nënpresidentin e ardhshëm JD Vance, që Kongresi të rrisë tavanin e borxhit, i cili përcakton se sa mund të marrë hua qeveria për të paguar faturat e saj dhe të kufizojë faturën në fokusimin vetëm në shpenzimet e përkohshme dhe lehtësimin e fatkeqësive.
Qeveria amerikane ka shpenzuar më shumë para se sa ka marrë për më shumë se 20 vjet, pasi demokratët kanë zgjeruar programet shëndetësore dhe republikanët kanë ulur taksat.
Rritja e vazhdueshme e borxhit – aktualisht 36 trilion dollarë – do t’i detyrojë ligjvënësit të rrisin tavanin e borxhit në një moment, qoftë tani ose kur autoriteti i huamarrjes të mbarojë vitin e ardhshëm. Dështimi për të vepruar mund të ketë pasoja potencialisht të rënda ekonomike.
Projektligji I propozuar prej 1 mijë e 500 faqesh përfshinte më shumë se 110 miliardë dollarë në ndihmë emergjente për fatkeqësitë dhe 30 miliardë dollarë ndihmë për fermerët. Po ashtu përfshin rritjen e parë të pagave për ligjvënësit që nga viti 2009, fondet federale për të rindërtuar një urë që u shemb në Baltimore, reformat e kujdesit shëndetësor dhe dispozitat që synojnë parandalimin e reklamave mashtruese mbi hotele dhe ambiente te tjera te cilat mund te rezervoheshin online.
Sekretarja e shtypit në Shtëpinë e Bardhë lëshoi një deklaratë në emër të Joe Biden pasi Trump doli kundër projektligjit, duke thënë se “republikanët duhet të ndalojnë së luajturi politikë me këtë marrëveshje dypartiake ose do të dëmtojnë amerikanët punëtorë dhe do të krijojnë paqëndrueshmëri në të gjithë vendin”.
Nëse Kongresi nuk vepron deri të premten, shërbimet qeveritare duke filluar nga Shërbimi i Parqeve Kombëtare deri te Patrulla Kufitare do të fillojnë të mbyllen këtë fundjavë për shkak të mungesës së fondeve./abcnews.al