Arabia Saudite premtoi 1 trilion dollarë investime në Shtetet e Bashkuara, por marrëveshja e madhe mes Donald Trump dhe princit të kurorës Mohammed bin Salman u zbeh nga ngjarje të tjera, që datojnë pas në kohë.
Fantazma e gazetarit Jamal Kashogi, I vrarë në Turqi në vitin 2018, e përndoqi edhe njëherë bin Salmanin, këtë herë në Shtëpinë e Bardhë, ku ai u prit me ceremoni nga presidenti amerikan.
Një gazetare i kujtoi princit saudit se emri i tij është përfolur për lidhje me vrasjen e gazetarit Kashogi, gjë që u ndesh me reagimin e ashpër të Trump, I cili I doli në mbrojtje bin Salman.
“Për sa i përket këtij zotërie, ai ka bërë një punë fenomenale. Po përmendni dikë që ishte jashtëzakonisht i diskutueshëm. Shumë njerëzve nuk u pëlqente ai zotëri për të cilin po flisni, pavarësisht nëse ju pëlqen apo jo, ndodhin gjëra, por princi nuk dinte asgjë për këtë dhe mund ta lëmë me kaq. Nuk keni pse ta turpëroni mysafirin tonë duke bërë këtë pyetje”
Ndërkohë bin Salman e cilësoi të dhimbshme vrasjen e gazetarit dhe tha se vendi I tij ka marrë masa që diçka e tillë të mos përsëritet.
Khashoggi u vra në vitin 2018 teksa vizitonte konsullatën e vendit të tij në Turqi për të marrë disa dokumente. Ai u pa për herë të fundit të hynte në ndërtesë në kamerat e sigurisë në orën 13:14 sipas orës lokale, por nuk u shfaq më kurrë.
Inteligjenca amerikane arriti në përfundimin se princi i kurorës miratoi rrëmbimin ose vrasjen e Khashoggit, një kritik i shquar I tij.
E veja e Khashoggit reagoi pas deklaratave dhe tha se princi i kurorës duhet të takohet drejtpërdrejt me të dhe të kërkojë falje për vdekjen e burrit të saj.
Ndërkohë në vizitën e tij të parë në Uashington, bin Salman premtoi 1 tirlion dollarë investime në Shtetet e Bashkuara, në fusha si inteligjenca artificiale, mbrojtja apo infrastruktura. Arabia Saudite pritet gjithashtu të blejë avionë F35 nga SHBA, ndërsa princi paralajmëroi se vendi I tij mund të bëhet pjesë e akordeve Abraham për normalizimin e marrëdhënieve me Izraelin, por theksoi rëndësine e krijimit të një shteti palestinez. / abcnews.al/

