Presidenti amerikan Donald Trump ka shprehur mbështetjen e tij për Andrew Cuomo, kandidatin që doli I pavarur në garën për kryebashkiak të Nju Jorkut pasi humbi primaret brenda demokrateve. Miliona qytetarë po votojnë këtë të martë për të zgjedhur kryebashkiakun e këtij qyteti, ndërsa Donald Trump bëri thirrje që qytetarët amerikanë mos të votojnë kandidatin e majtë Zohran Mamdani.
“Pavarësisht nëse e pëlqeni apo jo Andrew Cuomo, nuk keni zgjedhje tjetër. Duhet të votoni për të dhe të shpresoni që të bëjë një punë të shkëlqyer. Ai është i aftë për këtë Mamdani nuk është!”, shkroi Trump në rrjetin e tij Truth Social. Cuomo, ish-guvernator i Nju Jorkut, u përgjigj duke thënë: Ai nuk po më mbështet mua. Ai po i kundërvihet Mamdanit.
Trump gjithashtu paralajmëroi se do të ishte “i përmbajtur” në dërgimin e fondeve federale në Nju Jork nëse Mamdani zgjidhet kryebashkiak. “Është shumë e pamundur që unë të jap fonde federale, përveç minimumit të kërkuar,” tha Presidenti Amerikan duke kercenuar me nderprerje te fondeve.
Sipas sondazheve, Mamdani kandidati demokrat kryeson garën ndaj Cuomos, i cili garon si i pavarur pasi humbi në primaret e Partisë Demokrate. Kandidati republikan, Curtis Sliwa (krutis- slivua), renditet i treti. Trump, megjithëse republikan, refuzoi ta mbështesë Sliwan, duke thënë se “një votë për Sliwan është votë për Mamdanin.”
Në një intervistë për programin 60 Minutes në CBS, Trump e quajti gabimisht Mamdanin “komunist”, duke shtuar: “Nëse Nju Jorku drejtohet nga një komunist, çdo dollar i dërguar atje është i humbur.” Mamdani reagoi duke thënë se kërcënimi i Trump për ndërprerjen e fondeve “është një kërcënim, jo ligj”. Ai shtoi se “përqafimi i lëvizjes MAGA ndaj Andrew Cuomo-s tregon se Trump e sheh atë si kryebashkiakun më të mirë për veten e tij, jo për Nju Jorkun.”
Nëse fiton, Mamdani – 34 vjeç, anëtar i Asamblesë Shtetërore të Nju Jorkut – do të bëhet kryebashkiaku i parë mysliman në historinë e qytetit dhe më i riu në mbi 100 vjet. Ai e përshkruan veten si “socialist demokrat”, duke mohuar akuzat se është komunist. Cuomo, ndërkohë, është përpjekur të paraqitet si kandidati me më shumë përvojë për t’u përballur me administratën Trump, duke kujtuar përplasjet e tij me presidentin gjatë pandemisë së Covid-19. “Unë jam përballur me Donald Trump. Kur luftoj për Nju Jorkun, nuk ndalem,” deklaroi ai në një debat.

