Presidenti Donald Trump do të mbajë të martën një fjalim drejtuar kombit amerikan, ku do të argumentojë qëndrimin e tij për murin me Meksikën. Trump do ta mbajë fjalimin e tij nga Dhoma Ovale në 21, me orën lokale 3 e mëngjesit të së mërkurës me orën tonë.
Në vigjilje të fjalimit, zëvendëspresidenti Mike Pence sqaroi se pasioni i presidentit Trump për t’iu drejtuar popullit amerikan, rrjedh nga dëshira e tij e thellë për të bërë detyrën dhe për të mbrojtur qytetarët amerikanë. Ndërkohë, vendimi i rrjeteve më të mëdha televizive për të vënë në dispozicion të fjalimit të paktën 8 minuta transmetim, ka shkaktuar polemika dhe debate në rrjetet sociale.
Kritikët vunë në dukje se rrjetet televizive transmetuan fjalimin e presidentit George W. Bush mbi emigracionin në vitin 2006, por jo atë të presidentit Barack Obama në 2014-n. Ndërsa grupet e demokratëve në Kongresin dhe Senatin amerikan dolën me një deklaratë të përbashkët ku thuhet se, fjalimi do të ketë karakter keqinformues dhe për pasojë do të duhet më shumë kohë transmetimi për të kundërshtuar argumentet e Trump.
“Tani që rrjetet televizive kanë vendosur të transmetojnë fjalimin e presidentit, që ka gjasa të jetë i mbushur me dashakeqësi, demokratëve u duhet dhënë e njëjta kohë televizive për të kundërshtuar argumentet e tij”, thuhet në deklaratë./abcnews.al