Trump letër Ivanovit: Pranoni marrëveshjen me Greqinë

schedule18:25 - 6 Shtator, 2018

schedule 18:25 - 6 Shtator, 2018

Presidenti amerikan Donald Trump në një letër dërguar homologut të tij maqedonas Ivanov, i bën thirrje atij që të pranojë marrëveshjen për emrin me Greqinë. Sipas kreut të Shtëpisë së Bardhë, ky akord siguron stabilitet dhe prosperitet në rajon.

Presidenti amerikan, Donald Trump i ka dërguar një letër urimi homologut të tij maqedonas, Gjorge Ivanov me rastin e Ditës së Pavarësisë së vendit, që kremtohet me 8 shtator. Kjo është bërë e ditur nga Ambasada e SHBA-ve në Shkup, e cila ka publikuar atë që shkruhet tek kjo letër. Në të, Kreu i Shtëpisë së Bardhë ka disa këshilla për homologun e tij.

Donald Trump, President i SHBA: “Këtë vit, Maqedonia ka shumë arsye të jetë krenare. Marrëveshja historike e Prespës zgjidh kontestin shumëvjeçar për emrin me Greqinë dhe e hap rrugën e Maqedonisë për anëtarësim në NATO dhe BE. Marrëveshja dhe anëtarësimi i Maqedonisë në NATO do të përforcojë sigurinë, stabilitetin dhe prosperitetin në gjithë rajonin. SHBA-ja është e gatshme ta mbështesë Maqedoninë, veçanërisht në bisedimet në vijim për anëtarësimin tuaj në NATO”.

Ndërkohë, letra e presidentit amerikan vjen në vigjilje të referendumit, në të cilin qytetarët e Maqedonisë, më 30 shtator, duhet të shprehen nëse pajtohen apo jo që Maqedonia ta ndryshojë emrin në “Republika e Maqedonisë së Veriut”, si kusht për anëtarëisimin e vendit në NATO dhe fillimin e negociatave për anëtarësim në Bashkimin Evropian. Fushata ka filluar prej kohësh, megjithatë Ivanov nuk ka pranuar marrëveshjen në fjalë, duke thënë se është antikushtetuese dhe dëmton vendin. /abcnews.al