Presidenti i SHBA-së Donald Trump tha dje se Shtetet e Bashkuara janë të përgatitura të ulin tarifat e kërcënuara për mallrat evropiane nëse Bashkimi Evropian hap më tej tregun e tij për kompanitë amerikane.
“Nëse ata bien dakord të hapin unionin për bizneset amerikane, atëherë ne do t’i lejojmë ata të paguajnë një tarifë më të ulët”, tha Trump në një aktivitet të fokusuar në inteligjencën artificiale, duke iu referuar negociatave të vazhdueshme me BE-në.
Ai shtoi se bisedime serioze ishin aktualisht duke u zhvilluar.
SHBA ka negociuar me BE-në për javë të tëra për një marrëveshje tregtare për të parandaluar që tarifat amerikane prej 30% për importet nga blloku të hyjnë në fuqi më 1 gusht.
Ndërkohë, kancelari gjerman, Friedrich Merz dhe presidenti francez, Emmanuel Macron paraqitën një front të bashkuar gjatë bisedimeve në Berlin të mërkurën, duke sinjalizuar se BE është e përgatitur të përgjigjet nëse negociatat me Uashingtonin dështojnë.
Zëdhënësi i qeverisë gjermane Stefan Kornelius tha se të dy udhëheqësit ranë dakord të mbanin në tryezë opsionin e masave shtesë tregtare nëse bisedimet me SHBA-në dështojnë.
Ai shtoi se Merz dhe Macron ishin gjithashtu të përgatitur të hartonin instrumente të reja, nëse është e nevojshme.
Kornelius tha se Gjermania dhe Franca gjithashtu planifikojnë të koordinohen ngushtë me Italinë dhe Komisionin Evropian, ndërsa bisedimet me Uashingtonin hyjnë në fazën e tyre përfundimtare.