Trump kërkon votat e komunitetit latin

schedule11:14 - 2 Nëntor, 2018

schedule 11:14 - 2 Nëntor, 2018

5 ditë nga zgjedhjet për Kongresin, Donald Trump, është vënë në kërkim të votave të komunitetit latin. Për t’i fituar ato, presidenti ka ashpërsuar sanksionet ndaj regjimit të Venezuelës, një veprim që pritet të vlerësohet nga emigrantët e Amerikës së Jugut, që kërkojnë një linjë të ashpër ndaj regjimeve komuniste latine.

Presidenti amerikan Donald Trump ka rritur presionin ekonomik ndaj Venezuelës, duke vendosur të enjten sanksione që synojnë të godasin eksportet e arit të vendit amerikano-jugor. Trump firmosi një urdhër ekzekutiv që ndalon këdo në Shtetet e Bashkuara të bëjë biznes me individë dhe entitete të korruptuara në Venezuelë.

“Regjimi Maduro e ka përdorur këtë sektor si një bastion për të financuar aktivitete të paligjshme dhe për të mbështetur grupe kriminale”, deklaroi këshilltari i Trump për sigurinë kombëtare, Xhon Bolton.

Bolton e bëri njoftimin në kuadër të një plani për t’i dhënë fund asaj që e quajti “trojka e tiranisë” në hemisferën perëndimore, duke iu referuar Kubës, Venezuelës dhe Nikaraguas. Deklaratën e tij, këshilltari i presidentit e bëri në Florida, ku është i përqendruar edhe komuniteti më i madh i emigrantëve nga Kuba dhe Venezuela. Fjalët e tij pritet të mirëpriten nga kubano-amerikanët dhe komunitetet e tjera latine në Florida që mbështesin ushtrimin e presionit amerikan ndaj qeverisë komuniste të Kubës dhe qeveri të tjera në Amerikën Latine.

Bolton e mbajti fjalimin në Kullën e Lirisë, një godinë ku refugjatët kubanezë u strehuan në vitet ’60 pas revolucionit të Fidel Kastros, një ditë pasi Trump bëri fushatë për kandidatët republikanë në zgjedhjet për Kongresin. Florida ka qenë tradicionalisht një shtet i rëndësishëm elektoral dhe ish-presidenti Barak Obama është planifikuar të mbajë një fjalim në Majemi të premten, në prag të zgjedhjeve të 6 nëntorit./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!