Presidenti amerikan Donald Trump ka kërkuar 152 milionë dollarë për të rihapur burgun famëkeq Alcatraz, si pjesë e buxhetit të propozuar për vitin fiskal 2027.
Alcatraz, i njohur edhe si “The Rock”, dikur konsiderohej një nga burgjet më të rrezikshme në SHBA, ndërsa vitet e fundit ka shërbyer si atraksion turistik nën administrimin e Shërbimit të Parqeve Kombëtare.
BBC shkruan se sipas kërkesës buxhetore, fondet do të përdoren “për të rindërtuar Alcatraz si një strukturë moderne dhe të sigurt burgu”, duke mbuluar shpenzimet e vitit të parë.
Plani është pritur me skepticizëm nga politikanë në Kaliforni, të cilët kanë ngritur pikëpyetje mbi koston përfundimtare dhe vështirësitë e menaxhimit të burgut si institucion aktiv.
Ish-kryetarja e Dhomës së Përfaqësuesve, Nancy Pelosi, e quajti propozimin “absurd” dhe “një humbje të parave të taksapaguesve”.
Alcatraz u mbyll në vitin 1963, pasi ishte tre herë më i shtrenjtë për t’u operuar krahasuar me burgjet e tjera federale.
Sot, si atraksion turistik, gjeneron rreth 60 milionë dollarë në vit. Kritikat ndaj planit të Trump-it përfshijnë mungesën e ujit të rrjedhshëm dhe kanalizimeve në ishull, si dhe faktin që furnizimet duhen sjellë me varka.
Trump ka deklaruar se burgun e rindërtuar do ta përdorë për të strehuar “kriminelët më të pamëshirshëm dhe më të dhunshëm të Amerikës”.
Alcatraz ka pasur dikur të burgosur të famshëm si Al Capone, Mickey Cohen dhe George “Machine Gun” Kelly, dhe është bërë i njohur edhe për filmat klasikë si Escape from Alcatraz dhe The Rock.


