Trump kërcënon Meksikën: Ndaloni emigracionin, ndryshe mbyll kufirin

schedule22:03 - 29 Mars, 2019

schedule 22:03 - 29 Mars, 2019

Presidenti Donald Tramp ka kërcënuar të premten me mbylljen e kufirit me Meksikën nëse fqinji jugor nuk ndalon emigracionin ilegal. Deklarata vjen pas kërcënimeve të emigrantëve se mund të sulmojnë rojet kufitare amerikane.

Presidenti Donald Trump ka kërcënuar se javën e ardhshme do të mbyllë kufirin me Meksikën, ose segmente të tij, nëse vendi latin nuk e ndalon menjëherë fluksin e emigracionit drejt Shteteve të Bashkuara. Trump ka deklaruar disa herë në të kaluarën se do ta mbyllë kufirin me fqinjin jugor, por këtë herë qeveria amerikane mund të veprojë për shkak të rritjes së numrit të azilkërkuesve që nisen nga Amerika Qendrore. Trump e ka përcjellë mesazhin e tij të fundit përmes një seri postimesh në Twitter, pas lajmeve se një grup emigrantësh në El Paso të Teksasit kërcënuan se do të sulmonin rojet kufitare atje.

“Kongresi duhet të ndryshojë urgjentisht ligjet tona të emigracionit dhe Meksika duhet të ndalë emigrantët ilegalë që duan të hyjnë në Shtetet e Bashkuara përmes vendit të tyre dhe kufirit tonë jugor”, ka deklaruar Trump. Shefi i Shtëpisë së Bardhë ka akuzuar vendin latin se për vite me radhë është pasuruar nga trafiku i emigrantëve në kurriz të Shteteve të Bashkuara.

“Nëse Meksika nuk e ndalon emigracionin e drejtuar për në Amerikë, atëherë javën tjetër unë do të mbyll kufirin, ose segmentet kryesore të tij”, ka thënë Trump. Emigrantët që kalojnë ilegalisht kufirin kanë shkaktuar tension të vazhdueshëm mes dy vendeve që kur Trump nisi fushatën presidenciale rreth 4 vjet më parë, duke zgjedhur linjën e ashpër ndaj emigracionit dhe akuzuar Meksikën se dërgon përdhunues dhe trafikantë në Shtetet e Bashkuara. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!