Trump kërcënon Meksikën

schedule23:46 - 18 Tetor, 2018

schedule 23:46 - 18 Tetor, 2018

Presidenti Donald Trump ka kërcënuar se do të mbyllë kufirin që ndan Shtetet e Bashkuara me Meksikën, nëse kjo e fundit nuk merr masa për të ndalur valën e emigrantëve të nisur nga vendet e Amerikës Qendrore.

Presidenti amerikan Donald Trump ka kërcënuar se do të dërgojë ushtrinë në kufirin jugor të Shteteve të Bashkuara nëse vendet e Amerikës Latine nuk ndalojnë karvanet e emigrantëve të nisura nga Hondurasi, Guatemala dhe El Salvadori.

“Më duhet t’i kërkoj Meksikës, në mënyrën më serioze, që të ndalë këtë agresion, në të kundërt do të më duhet të angazhoj ushtrinë dhe të mbyll kufirin tonë jugor”, ka paralajmëruar Trump në Twitter.

Disa mijëra emigrantë nga Hondurasi udhëtuan këtë javë përmes Guatetmalës dhe më pas përmes Meksikës, me shpresën për të arritur në Shtetet e Bashkuara, për t’i shpëtuar varfërisë dhe dhunës në Amerikën Qendrore. Ata kanë kaluar përmes xhunglës, baltës dhe shumë prej tyre kanë mbajtur edhe fëmijë të sapolindur në kurriz.

Nga kryeqyteti i Guatemalës, ku janë ngritur streha për emigrantët, një valë njerëzish u nis drejt kufirit më të afërt me Meksikën, rreth 177 kilometra larg. Sekretari amerikan i Shtetit, Mike Pompeo do të udhëtojë drejt Meksikës, ku të premten do të takojë presidentin Enrique Pena Nieto.

Ministri i Jashtëm meksikan ndërkohë ka refuzuar të komentojë situatën, por ka thënë se nuk është i habitur nga deklarata e Trump. Trump, i cili është përpjekur të frenojë emigracionin dhe të ngrejë një mur në kufirin me Meksikën, më herët gjatë javës kërcënoi se do të ndërpresë ndihmat financiare nëse qeveritë e vendeve të Amerikës Qendrore nuk veprojnë./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!