Presidenti amerikan, Donald Trump, ka kërcënuar Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë se do të përballet me sanksionet nëse heton ushtarët amerikanë në Afganistan. Në një deklaratë, këshilltari John Bolton ka paralajmëruar se gjykatësit dhe prokurorët e kësaj gjykate do të përballen me proces gjyqësor sipas sistemit amerikan.
Administrata Trump ka kërcënuar Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë me sanksione nëse vazhdon një hetim mbi trupat amerikane në Afganistan. Këshilltari i Trump për sigurinë kombëtare, John Bolton ka deklaruar të hënën në Uashington se Shtetet e Bashkuara do të përdorin çdo mjet për të mbrojtur qytetarët e saj dhe ata të aleatëve nga përndjekja e një gjykate, sipas tij, ilegjitime.
Bolton ka nënvizuar se administrata amerikane do t’u ndalojë gjyqtarëve dhe prokurorëve hyrjen në Shtetet e Bashkuara, do të sanksionojnë fondet e tyre në sistemin financiar amerikan dhe do t’i gjykojë sipas kodit penal amerikan.
“Gjithashtu do të bëjmë të njëjtën gjë për çdo kompani apo shtet që mbështet Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë në hetimin e amerikanëve”, ka shtuar Bolton.
Ndër të tjera, këshilltari i Trump ka paralajmëruar se Shtetet e Bashkuara do të mbyllin zyrën e Organizatës për Çlirimin e Palestinës në Uashington, një vendim i lidhur me Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë, që sipas Bolton po nxitet nga palestinezët për të hetuar Izraelin.
Shtetet e Bashkuara janë një prej shumë vendeve të botës që nuk i janë bashkuar gjykatës ndërkombëtare, e themeluar në vitin 2002. Ky institucion me bazë në Hagë heton dhe gjykon njerëz përgjegjës për genocid, krime kundër njerëzimit, krime lufte dhe ndërhyn atëherë kur autoritetet kombëtare nuk mund t’i procedojnë ata penalisht./abcnews.al