Nga Martin Kettle, The Guardian
Donald Trump u largua nga Shtëpia e Bardhë, pas 4 vitesh në pushtet duke sjellë: gënjeshtra, mizori, pa asnjë gjurmë zemërgjerësie.
Mënyra se si ai menaxhoi situatën e Covid-19, humbja në zgjedhje, refuzimi për të pranuar humbjen, prishja e traditës për të mos qenë pjesë e inaugurimit të pasardhësit të tij formojnë figurën e tij përgjatë 4 viteve.
Por pavarësisht mënyrës, Trump largohet duke ndryshuar Amerikën.
Biden ishte padyshim kandidati i duhur për të mposhtur Trump. Me anë të qetësisë që e karakterizonte arriti të fitonte, emërimet e tij kanë qenë të zgjuara dhe askush gjatë politikës amerikane nuk ka qenë në gjendje të nisë një kapitull të ri në shërimin e plagëve të vendit: si shpresa që dha ai gjatë fjalimit të inaugurimit.
Fjalimi ishte shpresëdhënës, një fjalim përulësie dhe qëndrueshmërie. Por Biden nuk mund ta rindërtojë Amerikën duke u përpjekur ta ndryshojë. Kjo do të dështonte.
Amerika, institucionet dhe vlerat e saj i kanë mbijetuar luftës civile më parë, si dhe krimeve të mëdha. Amerika ndoshta do t’i mbijetojë qëndrimit korruptiv të Trump, të cilin Biden e quajti “kjo luftë jo civile”.
Por mbijetesa mund të mos jetë më e mjaftueshme në një Amerikë që ka qenë shumë afër pragut të një konflikti më të thellë nga një udhëheqës i çoroditur, i mbështetur nga një parti me vullnet të dobët dhe makineritë e gënjeshtrave të Rupert dhe Lachlan Murdoch.
Megjithatë duhet të theksojmë faktin se Trump nuk është i vetëm. Edhe për këtë duhet të kemi parasysh diçka:
«Politika amerikane ka qenë shpesh një arenë për mendjet e zemëruara. Në vitet e fundit kemi parë persona të zemëruar kryesisht midis ekstremistëve të djathtë… Por pas kësaj, besoj se ekziston diçka dhe që nuk është domosdoshmërish krahu i djathtë.
Do ta quaja më tepër një stil paranojak thjesht sepse asnjë fjalë tjetër nuk evokon në mënyrë adekuate ndjenjën e ekzagjerimit, dyshimit dhe fantazisë konspirative. ”
Kjo na tregon dy gjëra që duhet të mbahen mend nën dritën e inaugurimit të Biden.
–E para është që beteja për të zgjeruar dhe forcuar vlerat demokratike duhet të jetë po aq e rëndësishme sa tradita e atyre që i kundërshtojnë ato.
Fjalët e Biden, se “mosmarrëveshjet nuk duhet të çojnë në përçarje”, tregojnë shkallën e asaj që është në lojë. Përçarja mund të shkatërrojë një komb.
Kryengritësit e 6 janarit i përmbahen asaj që kolumnisti David Brooks ka thënë dikur se ndonjëherë protestuesit e shohin veten si luftëtarë të pavarësisë të shekullit të 18-të Amerikës.
Do të ishte më e saktë nëse do të gjykonin situatën njësoj si luftën civile të shekullit të 19-të nga ana e Konfederatës, apo trashëgiminë racore, e cila akoma është plagë në Shtetet e Bashkuara edhe 150 vite më vonë.
Biden nuk tha asgjë për këtë.
–Mësimi i dytë është se, pavarësisht se Amerika ndonjëherë ka ndikim në politikën e kombeve të tjera, përfshirë Britaninë, ajo operon ndryshe.
Në shumicën e aspekteve, dhe shumë më tepër nga sa kuptojnë shumë politikanë, Shtetet e Bashkuara ndjekin rrugën e tyre të veçantë.
Amerika është një vend i huaj dhe sa më mirë që ta njihni atë, aq më të vetëdijshëm do të bëheni për gjërat që ju presin. Trump e ka ndryshuar disi dhe kjo është Amerika që do të udhëheq Biden tani.
Të huajt, veçanërisht të huajt anglishtfolëse, duhet të kontrollojnë perceptimet e tyre rreth Amerikës. Deri në vitin 2017, çdo ceremoni inaugurimi u vëzhgua nga Europa si një deklaratë kushtesh mbi të cilat do të vendoset politika amerikane vitet e ardhshme.
E ardhmja e Amerikës në botë nuk zgjidhet nga ndryshimi i administratës.
Trump humbi zgjedhjet, por ai ka ndryshuar shumë gjëra për një brez. Kombet europiane, përfshirë Britaninë, duhet të kuptojnë të njëjtën gjë. Ashtu si epoka e partisë së brendshme amerikane mbetet diçka që i përket të kaluarës, ashtu edhe epoka e udhëheqjes globale amerikane nuk do të ndodhë tani ose ndoshta kurrë.
Nën udhëheqjen e Donald Trump, arroganca e madhështisë globale ishte afër rrezikut për të lënë nën hije Amerikën. Nëse Biden dhe pasardhësit e tij dështojnë, kjo mund të ndodhë ende. Por Brexit ka treguar se Britania vuan nga arroganca.
Britania është një anije që lundron në errësirë pa tabela ose drita. Amerika e Biden nuk do të jetë në krah të saj menjëherë. Vendi ka ende problemet e veta për të zgjidhur. Përktheu Sonila Backa/abcnews.al