Donald Trump ka deklaruar se Japonia pritet të rrisë angazhimin e saj në konfliktin me Iranin, duke e krahasuar këtë me atë që ai e cilësoi si mungesë veprimi nga NATO.
Gjatë një konference për shtyp, Trump u pyet për luftën me Iranin dhe u shpreh se beson që Japonia “do të marrë përgjegjësi më të madhe”, duke shtuar “ndryshe nga NATO”.
Presidenti amerikan theksoi gjithashtu se nuk ka në plan të dërgojë trupa në terren: “Nuk po vendos trupa askund – dhe edhe nëse do ta bëja, nuk do t’ju tregoja”.
Ai e përshkroi konfliktin si një “ndërhyrje të shkurtër”, duke shtuar se “do të përfundojë shumë shpejt”.
Duke folur për gjendjen e forcave iraniane, Trump pretendoi se ato janë dobësuar rëndë: “Marina e tyre është zhdukur, forcat ajrore janë zhdukur, mbrojtja kundërajrore është zhdukur – ne po fluturojmë kudo që duam… udhëheqja e tyre është zhdukur”.
Në fund, ai shtoi se kishte ndërmarrë këtë veprim si një hap të pazakontë: “M’u desh të bëja këtë ndërhyrje të vogël dhe të bëja diçka që asnjë president tjetër nuk pati guximin ta bënte”.


