Presidenti Donald Trump fali të martën 15 persona, përfshirë aleatë republikanë, një zyrtar të fushatës të vitit 2016 i përfshirë në hetimin e Rusisë dhe ish qeveritarë të dënuar për një masakër të vitit 2007 në Bagdad.
Trump gjithashtu uli dënimet e pesë personave. Megjithëse nuk është e pazakontë që presidentët të falin në fund të mandatit, Trump e ka bërë të qartë se nuk heziton të ndërhyjë në rastet e miqve dhe aleatëve të cilët ai beson se janë trajtuar padrejtësisht.
Gjithsesi, pavarësisht spekulimeve, në listë nuk ishin të përfshirë anëtarë të familjes së vetë Trump, avokati i tij personal Rudy Giuliani apo vetë presidenti.
Faljet përfshinin ish-anëtarët republikanë të Kongresit, Duncan Hunter nga Kalifornia dhe Chris Collins nga Nju Jorku. Trump uli dënimin e ish-kongresmenit Steve Stockman të Teksasit.
Collins, anëtari i parë i Kongresit që e mbështeti Trump në fushatën për president, u dënua me dy vite e dy muaj burg pasi pranoi se kishte ndihmuar të birin dhe persona të tjerë të shmangnin 800,000 dollarë humbje në tregun e aksioneve kur mësoi se prova e një ilaçi i një kompanie të vogël farmaceutike, kishte dështuar.
Hunter u dënua me 11 muaj burg pasi u deklarua fajtor për vjedhje të fondeve të fushatës dhe shpërdorim parash që nga daljet me miqtë deri në festën e ditëlindjes së vajzës së tij.
Presidenti Trump njoftoi gjithashtu për faljen e aleatëve të tij të përfshirë në hetimin për Rusinë. Njëri ishte për George Papadopulos, këshilltari në fushatën e tij në vitin 2016, biseda telefonike e të cilit solli në nxitjen e hetimit për Rusinë që shoqëroi presidencën e Trump për gati dy vite. Ai gjithashtu fali avokatin hollandez Alex van der Zwaan, i cili u dënua me 30 ditë burg se kishte gënjyer hetuesit gjatë hetimit të këshilltarit të posaçëm Robert Mueller.
Van der Zwaan dhe Papadopulos janë të pandehurit e tretë dhe të katërt të hetimit për lidhjet me Rusinë, të cilët u falën.
Muajin e kaluar, Trump fali ish-këshilltarin e sigurimit kombëtar Michael Flynn, i cili ishte shpallur dy herë fajtor se kishte gënjyer FBI-në dhe muaj më parë ndryshoi dënimin e një bashkëpunëtori tjetër, Roger Stone, ditë para se ai të paraqitej në burg.
Në grupin e njoftuar të martën, ishin katër ish qeveritarë të dënuar në një masakër të vitit 2007 në Bagdad që la të vdekur më shumë se dhjetë civilë irakianë dhe shkaktoi një reagim të ashpër ndërkombëtar për përdorimin e rojeve private të sigurisë në një zonë lufte.
Mbështetësit e ish-kontraktorëve të kompanisë Blackwater Worldwide Nicholas Slatten, Paul Slough, Evan Liberty dhe Dustin Heard, kishin lobuar për faljen e tyre, duke argumentuar se ndëshkimi i tyre ishte i ekzagjeruar. Të katër po vuanin dënime të gjata me burg./abcnews.al

