Presidenti amerikan Donald Trump është tërhequr nga programi DACA i administratës Obama për mbrojtjen e mbi 700 mijë emigrantëve të hershëm në SHBA. Kreu i Shtëpisë së Bardhë ka deklaruar se së shpejti do nënshkruaj një urdhër ekzekutiv për t’u dhënë mundësi për shtetësi të ardhurve ilegalisht në SHBA në moshë të mitur.
Në një intervistë në kanalin, Telemundo, presidenti Donald Trump tha se programi DACA që i ka mbrojtur të rinjtë emigrantë nga deportimi i menjëhershëm nuk do të zhbëhet. Ai shtoi se të rinjve do t’u ofrohet një rrugë drejt shtetësisë.
Por nuk do të ketë amnisti, tha përmes një deklarate zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë Judd Deere, pas intervistës së presidentit.
Deklarata e Shtëpisë së Bardhë theksonte se urdhri ekzekutiv do të krijonte një sistem emigrimi në bazë të meritave dhe se presidenti do të punonte me Kongresin për një zgjidhje legjislative që mund të përfshijë shtetësinë, kontrollin e fortë të kufijve dhe reforma mbi bazë meritash, por jo amnisti.
Administrata Trump më parë është përpjekur të eliminojë programin DACA, i krijuar gjatë administratës Obama për të mbrojtur mbi 700 mijë emigrantë.
Presidenti nuk dha hollësi për elementë të tjerë në urdhrin e ardhshëm ekzekutiv për emigracionin, por tha vetëm se DACA do të përfshihet dhe njerëzit do të mbeten shumë të kënaqur”.
Kur u pyet nëse ndryshimet do të bëhen përmes një urdhri ekzekutiv apo një ligji në Kongres, Trump tha se kur Gjykata e Lartë dha gjykimin e saj për DACA-n muajin e kaluar, i kishte dhënë atij “kompetenca të jashtëzakonshme” për të miratuar urdhra ekzekutivë.
Gjykata doli me vendimin se administrata nuk kishte dhënë arsyetime të mjaftueshme për të eliminuar DACA-n. Vendimi i gjykatës nuk thoshte nëse të rinjtë e mbrojtur nga programi DACA kanë të drejta të përhershme për të jetuar në SHBA, dhe nuk e pengonte Trump të përpiqej përsëri për ta anuluar programin.
Zëdhënësi Deere tha se presidenti “po punon për një urdhër ekzekutiv për të krijuar një sistem emigracioni të bazuar te meritat, në mënyrë që të mbrojë edhe më shumë punonjësit amerikanë”. Presidenti ka thënë se do ta nënshkruajë urdhrin brenda katër javëve të ardhshme.
Senatori republikan Ted Cruz i kritikoi planet e presidentit, duke postuar një koment në twitter ku shkruhet: “Presidenti ka zero autoritet kushtetues për të hapur “rrugë drejt shtetësisë” përmes akteve ekzekutive”.
Udhëheqësit në Kongres janë përpjekur në disa raste gjatë viteve të fundit të miratojnë reforma gjithëpërfshirëse, por nuk kanë pasur sukses si rezultat i mospajtimeve të mëdha mes propozimit të republikanëve dhe atij të demokratëve./abcnews.al