Presidenti amerikan Donald Trump do të takohet pas vitit të ri me liderin e Koresë së Veriut, Kim Jong-un. Kjo është bërë e ditur nga numri dy i Shtëpisë së Bardhë që paralajmëron se SHBA nuk do të tolerojë premtime të pambajtura lidhur me asgjësimin e programit bërthamor.
Zëvendëspresidenti i Shteteve të Bashkuara, Mike Pence njoftoi se kreu i Shtëpisë së Bardhë Donald Trump planifikokn të takohet me liderin e Koresë së Veriut, Kim Jong-un vitin që vjen. Ai paralajmëron se nuk do të përsëriten gabimet e së kaluarës duke lejuar që premtimet të mos mbahen lidhur me zotimin për t’I dhënë fund programit të armëve. Shtetet e Bashkuara dhe Koreja e Veriut kanë diskutuar për një takim të dytë mes liderëve të tyre për të pasuar samitin e Singaporit në Qershor dhe të përgatisin terrenin për t’i dhënë fund njëherë e m irë përplasjeve bërthamore. “Planifikimi vijon. Ne besojmë se samiti do të ndodhë pas 1 janarit, por ku dhe kur mbetet ende për t’u vendosur”, tha Pence pasi u takua me presidentin e Koresë së Jugut, Moon Jae-in.
“Ne nuk duam të përsërisim gabimet e administratave të mëparshme, sinqerisht nga të dy partitë politike, që kanë bërë në dekadat e fundit ku janë dhënë premtime, sanksionet janë hequr, mbështetja ekonomike ka ardhur dhe më pas premtimet janë thyer”, shtoi numri dy i Shtëpisë së Bardhë. Pence dhe Moon u takuan në sajë të samitit Azi-Paqësor që zhvillohet në Singapor.
Ndërkohë, ekipi amerikan i ndërmjetësimit zbuloi të hënën se kishte identifikuar të paktën 13 nga rreth 20 baza aktive dhe të padeklaruara të raketave brenda Koresë së Veriut, duke nënvizuar sfidën për negociatorët amerikanë që shpresojnë të bindin Kim Jong-un të heqë dorë nga programet e tij të armëve. Koreja e Veriut ka nënshkruar marrëveshje me fuqitë rajonale në vitin 1994 dhe në 2005-n për të shkatërruar arsenalin nuclear në këmbim të benefiteve ekonomike dhe shpërblimeve diplomatike. Por këto akorde e thyen pasi Pheniani në mënyrë clandestine vijoi të ndërtonte armë të shkatërrimit në masë. Trump pritet të bisedojë për shtimin e sanksioneve, ndërsa do të takohet me presidentin kinez, Xi Jinping në samitin e G20 këtë muaj. Megjithatë Koreja e Veriut nuk ka testuar asnjë pajisje bërthamore apo raketë balistike që prej vitit të kaluar dhe ka thënë se ka shkatërruar sitin kryesor të testeve bërthamore dhe se ka plan të bëjë të njëjtën gjë edhe me zona të tjera të ngjashme. Por regjimi ka kërcënuar se do të rifillojë programin nuklear nëse SHBA-të nuk heqin sanksionet. /abcnews.al