Trump do të dorëzohet në burgun e Atlantës për padinë e katërt penale këtë vit

schedule14:01 - 24 Gusht, 2023

schedule 14:01 - 24 Gusht, 2023

Ish-presidenti i SHBA-së, Donald Trump, do të dorëzohet në një burg në Atlanta më 24 gusht për t’u përballur me akuzat lidhur me përpjekjen e tij për ta përmbysur humbjen në zgjedhjet e vitit 2020. Kjo është padia e katërt penale me të cilën po përballet me Trump këtë vit.

Njëjtë si të pandehurit e tjerë në Atlanta, Trump do të duhet të paraqitet në burgun e Fultonit për t’i dhënë shenjat e gishtërinjve dhe për t’iu bërë një fotografi. Kjo e fundit pritet të qarkullojë gjerësisht nëpër rrjete sociale, përderisa Trump po bën fushatë për ta rifituar Shtëpinë e Bardhë në zgjedhjet presidenciale të vitit të ardhshëm.

Ish-presidenti republikan përballet me 13 akuza penale, përfshirë shantazh dhe presion ndaj zyrtarëve shtetërorë për ta kthyer humbjen e tij në zgjedhje nga presidenti demokrat, Joe Biden.

Trump, 77 vjeç, ka mohuar akuzat dhe i ka kritikuar ato si të motivuara politikisht. Ai nuk do të deklarohet në këtë paraqitje të tij në burgun e Atlantës, por ka pranuar të paguajë garanci prej 200,000 dollarësh dhe ka pranuar kriteret e lirimit me kusht që do ta ndalonin atë të kërcënonte dëshmitarët ose 18 të bashkë-pandehurit e tij në këtë rast. Ende nuk dihet se kur do të arrijë Trump në burgun e Fultonit.

Është gjithashtu e paqartë se sa mbështetës të Trump do të shfaqen para ndërtesës për ta mbështetur atë. Trump bëri thirrje për protesta mbarëkombëtare pas aktakuzës së tij të parë penale të ngritur në Nju Jork në mars, duke shkaktuar shqetësime se mund të ketë trazira të dhunshme si ato të 6 janarit të vitit 2021 në SHBA.

Autoritetet nuk kanë raportuar asnjë incident të dhunshëm jashtë gjykatave në Manhatan, Majami dhe Uashington, ku Trump është paraqitur këtë vit.

Vizita e shkurtër e Trumpit në burg vjen një ditë pasi rivalët e tij për nominimin presidencial republikan në vitin 2024 u takuan në Milwaukee për debatin e tyre fillestar. Trump nuk mori pjesë në atë ngjarje, por u ul për një intervistë të regjistruar paraprakisht me gazetarin konservator, Tucker Carlson, e cila u transmetua në të njëjtën kohë me debatin.

“Unë jam paditur katër herë – të gjitha marrëzi të parëndësishme”, tha ai.

Epërsia e Trumpit në sondazhe është shtuar që nga akuza e tij e parë dhe mbështetësit e tij thonë se besojnë që akuzat janë të motivuara politikisht. Por, analistët thonë se problemet ligjore të Trumpit mund t’i largojnë votuesit e pavarur për të cilët ai do të kishte nevojë për të fituar një garë përfundimtare kundër Bidenit, presidentit aktual që e mundi atë për 7 milionë vota në vitin 2020.

Rasti i Xhorxhias përbën aktakuzën e katërt të ngritur ndaj Trump. Ai përballet me një gjyq në Nju Jork lidhur me një pagesë të bërë ndaj një ylli të pornografisë dhe një gjyq në Florida për keqpërdorim të dokumenteve të klasifikuara federale.

Një tjetër aktakuzë, në Uashington, e akuzon atë për përpjekje të paligjshme për ta përmbysur humbjen e tij në zgjedhjet e vitit 2020. Prokurori i posaçëm Jack Smith ka kërkuar që gjyqi të nisë në janar, por ende nuk është caktuar një datë.

Trump është deklaruar i pafajshëm për të gjitha akuzat e ngritura ndaj tij./REL